Nga mbledhja e 69-të e Qeverisë: Me dekret mundësohet që edhe spitalet private të shtrojnë dhe t’u ofrojnë përkujdesje dhe terapi të sëmurëve nga KOVID – 19; Hapen të gjithë kalimet kufitare me zbatim të masave aktive

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 69-të e plotësoi Dekretin me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, në përputhje me të cilin tani edhe institucionet shëndetësore private, në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë për përkujdesje intensive dhe terapi, mund të ofrojnë shërbime shëndetësore edhe për sëmundjen ngjitëse të virusit korona KOVID - 19 për pacientët të pranuar në institucion te të cilët gjatë dhënies së shërbimeve shëndetësore për diagnostikim, mjekim, trajtim, përkujdesje dhe rehabilitim në institucion është konfirmuar prania e shkaktuesit  Sars-Cov-2 virus për sëmundje infektive KOVID - 19.

Në këtë mbledhje Qeveria solli vendim  prej nesër 17 qershor të hapen  të gjitha vendkalimet kufitare në vend  me zbatim të masave  që janë aktive,  me ç’rast për hyrje  në Maqedoninë e Veriut  është i obligueshëm  testi vlefshëm negativ  PCR,  jo më i vjetër se 72 orë. Mbetet edhe masa  për nënshkrim të “Deklaratës  për vetizolim të obligueshëm në kohëzgjatje prej 14 ditëve”, në bazë të së cilës  Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor përgatit Vendim për kontroll shëndetësor dhe vetizolim shtëpiak, të cilën e kontrollon MPB-ja.

Mbetet në fuqi edhe masa për karantinë shtetërore në kohëzgjatje prej 14 ditësh, për të gjithë qytetarët ose të huajt me qëndrim të rregullt në vend, të cilët gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të dorëzojnë test të vlefshëm  PRC ose do të dorëzojnë test jo të vlefshëm  PCR.

Mbetet edhe mundësia për qytetarët të cilët janë në karantinë shtetërore dhe që duan  t’u bëhet test PCR me kërkesë të tyre, ajo t’u mundësohet  nga ana e institucionit të autorizuar në afatin më të shkurtër. Ata qytetarë të cilët testin PCR e kanë negativ, nënshkruajnë “Deklaratë për  vetizolim të obligueshëm  në kohëzgjatje prej 14 ditëve”, ku llogariten edhe ditët  e kaluara në karantinë shtetërore dhe shkojnë në vetizolim të obligueshëm në adresën e përcaktuar  në deklaratën e dhënë. Nëse qytetarët nuk duan të bëjnë test PCR, mbesin në karantinë 14 ditë, ndërsa pas atij afati nga ana e përfaqësuesve të autorizuar  të ISHSSH u përgatitet vendim  për kontroll shëndetësor dhe vetizolim shtëpiak.

 

Në mbledhjen  e sotme Qeveria e plotësoi Protokollin  për transit të pandërprerë të shtetasve të huaj nëpër territorin  e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prej  nesër  protokolli mundëson hyrje në të gjitha vendkalimet kufitare të shtetasve  të shteteve tjera për kalim nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbetet dispozita  në protokollin  i cili përshkruan se transiti i këtyre personave nënkupton  hyrje në njërin vendkalim kufitar dhe dalje në tjetrin  me obligim që gjatë transitit të mos dilet  nga autostrada përkatëse  ose rruga lokale  dhe ai të realizohet  në kornizat e më së shumti pesë orëve  që konfirmohet me deklaratë  të cilën shtetasit e huaj  duhet ta plotësojnë  në hyrje,  ndërsa në dalje shfrytëzuesi duhet  ta dorëzojë te policia kufitare  me qëllim që të kontrollohet  kohëzgjatja e kalimit.

Qeveria në këtë mbledhje e miratoi edhe Protokollin për punën e objekteve të hotelerisë për  akomodim (hotele dhe objekte të tjera hotelerie për akomodim) dhe ai fillon të vlejë prej të hënës, 22 qershor.

Protokolli i rregullon procedurat për pjesën hotelerie-akomodimi të objekteve, më pas rekomandimet dhe masat për pranim dhe akomodim të mysafirëve, procedurat e restoranteve, përdorimi i tualeteve, si dhe rekomandimet për mysafirët dhe për veprim gjatë shfaqjes së rastit me simptome të KOVID - 19.

Qeveria sot e përcaktoi dhe e miratoi Protokollin për punën e pishinave për klubet e notit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili përcakton se pishinat hapen vetëm për anëtarët e klubeve të notit dhe jo edhe për notim rekreativ.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut  sot dha pëlqim për marrjen e obligimeve për programet të përfshira në pjesën zhvilluese të buxheti, për pagesën e të cilit është e nevojshme shfrytëzimi i mjeteve të buxhetit në këto vite vijuese 2020, 2021 dhe 2022, të Ministrisë së Shëndetësisë për Rindërtimin, adaptimin dhe zgjerimin e ISHP – Spitali i Përgjithshëm Kërçovë.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin dhe e pranoi tekstin nga Raporti i pestë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut sipas Konventës Kornizë për  mbrojtjen e pakicave nacionale të Këshillit të Evropës dhe e ngarkoi Ministrin e Punëve të Jashtme që të dorëzojë raport pranë Komitetit Këshillëdhënës të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për pakicat nacionale më së voni deri në fund të muajit qershor 2020.