Në bazë të rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse , Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 72-të solli vendim që nga e premtja, 26 qershor 2020, tërësisht të hapen të gjitha vendkalimet kufitare për lëvizje të papenguar të udhëtarëve dhe automjeteve, madje pa iu nënshtrua testit PCR dhe izolimit shtëpiak ose karantinës së detyrueshme shtetërore.
Qeveria sot solli Vendim që nga 1 korriku, e mërkurë të hapen për trafik edhe Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe ai “Sh. Apostol Pavle” në Ohër.
Në pajtim me këto vendime, Qeveria sot solli vendim të hiqet ndalimi për transport të organizuar, i cili po ashtu fillon më 26 qershor.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar vendim që nga e premtja, pra 26 qershor, objektet hotelerike të mund të punojnë edhe në pjesën e brendshme përmes protokollit adekuat për punë.
Nga e premtja, 26 qershor 2020, lejohet edhe puna e sallave për ushtrim, ndërsa qendrat tregtare nga data e njëjtë do të mund të punojnë edhe gjatë të dielave.
Për gjitha këto vendime deri të premten, 26 qershor 2020, kur dhe fillon vlefshmëria e tyre, do të përgatiten protokolle të domosdoshme për gjithë operatorët ekonomikë dhe institucionet në kompetencë të të cilit janë këto vendime
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u shqyrtua informacioni për pagesën e pensioneve për muajin qershor të vitit 2020, me plan të caktuar për pagesën e pensioneve për muajin qershor, në mënyrë që të evitohet rreziku prej Kovid-19, sipas të cilit të gjitha bankat kanë dhenë pëlqimin që pensionit e qershorit të procedohen para kohe për pagesë të gatshme në katër grupe (ditë) duke filluar nga 26.06.2020, si dhe pëlqim për pagesa pa para të gatshme që të mundësohet nga 26.06.2020, gjegjësisht pensionet e qershorit të përdoren përmes bankomatëve dhe në rrjetin tregtar nga 26.06.2020.
Për këtë qëllim, është e nevojshme që Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut të dorëzojë të dhënat për pensionet deri te bankat afariste më së voni deri më 25.06.2020, ndërsa bankat afariste nga 26.06.2020 të sigurojnë që pensionistët me pensionet e qershorit të mund të kenë në dispozicion rrjetin e bankomatëve dhe rrjetin tregtar.
Pagesa në para të gatshme e pensioneve për klientët që nuk përdorin kartela, sipas marrëveshjes së arritur nga bankat do të bëhet në katër grupe (ditë) në të gjitha filialet e hapura dhe ekspoziturat e bankave, sipas orarit të mëposhtëm:
• Për pensionet deri në 11.000 denarë, pagesa duhet të bëhet më 26.06.2020 (e premte);
• Për pensionet deri në 11.001-14.000 denarë, pagesa duhet të bëhet më 29.06. 2020 (e hënë);
• Për pensionet deri në 14.001-18.000 denarë, pagesa duhet të bëhet më 30.06.2020 (e martë); dhe
• Për pensionet mbi 18.001 denarë, pagesa duhet të bëhet më 01.07.2020 (e mërkurë).
Në këtë mbledhje, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për përparimin e zbatimit të "Planit për implementimin e Pasqyrës strategjike (SOP) 2018", përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas Informacionit, në periudhën e kaluar kohore, janë sjell ose janë në fazë të miratimit edhe një pjesë e dokumenteve kryesore përmes të cilave janë parashikuar hapat e ardhshëm në transformimin e mbrojtjes.
Dokumentet kryesore janë: "Plani afatgjatë për zhvillimin e aftësive të mbrojtjes 2019 - 2028", dhe "Plani afatmesëm për zhvillimin e aftësive të mbrojtjes 2020-2022", me të cilat konsolidohen qëllimet zhvillimore afatgjate dhe afatmesme për zhvillimin e aftësive për mbrojtje kolektive, sigurinë kooperative dhe menaxhimin e krizës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe BE-së, si dhe "Strategjinë e Mbrojtjes kibernetike" të miratuar në bazë të "Strategjisë së Sigurisë Kibernetike".