Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski në kuadër të vizitës së punës në Komunën Gazi Babë, i shoqëruar nga zëvendësministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Nexhat Mehmedoviq kryetarit të Komunës, Boris Georgievski dhe nënkryetarit të Shoqërisë kulturore boshnjake, Xhemil Bektoviq e vizituan edhe vendin historik Tyrben “Kral K’zi” - varrin e Katerinës, vajzës së mbretit të fundit boshnjak, Stefan.
Kryeministri Spasovski me të pranishmit bisedoi për domethënien e përmendores së vajzës së mbretit, për të cilën mendohet se është ndërtuar në fund të shekullit 15, gjegjësisht në fillim të shekullit 16 dhe ka domethënie të rëndësishme për komunitetin boshnjak në vendin tonë dhe si përmendore e kulturës meriton vëmendje të veçantë.
Spasovski tha se çdo popull ka të drejtë në të kaluarën e vet, shprehjen kombëtare dhe traditën kulturore dhe se kjo përmendore respektohet jo vetëm nga qytetarët e komunitetit boshnjak, por edhe nga të gjithë të tjerët, sepse dëshmon se në këtë vend të gjithë së bashku kanë jetuar shekuj me radhë.
Në veçanti u vlerësua se boshnjakët në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e barabartë e të gjitha forcave progresive, të cilat e përbëjnë shoqërinë tonë e cila e respekton pluralizmin kulturor dhe bashkë i avancon parimet dhe vlerat për barazi të të gjithë qytetarëve, për integrimin e tyre të plotë në shoqëri, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare.
Qeveria, siç theksoi Kryeministri Spasovski nëpërmjet bashkëpunimit me pushtetin qendror dhe lokal, në mënyrë serioze është e fokusuar në të gjitha çështjet në interes të qytetarëve dhe tërësisht mbështeti nismën e Shoqërisë kulturore boshnjake dhe Komunës Gazi Babë që të vazhdohet me rregullimin e hapësirës rreth Tyrbes.
Në kodrinat e Gazi Babës, rreth Tyrbes tani më janë vendosur ulëse, pajisje urbane dhe ndriçim plotësues, me çka kjo përmendore kulturore do të marrë formën e saj të njohur dhe me meritë nëpërmjet institucioneve do të vendoset në hartën turistike të kryeqytetit të vendit tonë.