Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sonte mbajti një mbledhje në të cilën vendosi të ndalojë të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut për në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në fund të vitit 2020, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive.
Me këtë vendim të Qeverisë, do të jetë i detyrueshëm kontrolli i të gjithë udhëtarëve që hyjnë në territorin e RMV-së nga Britania e Madhe dhe Irlanda Veriore përmes vendkalimeve tokësore kufitare dhe në vendkalimet kufitare të aeroporteve në Shkup dhe Ohër dhe të gjithë detyrimisht do të dërgohen në vetizolim për 14 ditë, si dhe të plotësojnë formulare për hyrje në vend me të dhëna për vendin e akomodimit.