“Salla Universale do të rindërtohet në formën dhe gabaritin ekzistues, duke mbajtur pamjen e saj autentike me qëllim që edhe më tej të shërbejë në memorie kolektive si simbol i solidaritetit”, deklaroi Kryeministri Zoran Zaev në ngjarjen me rastin e prezantimit të projektit për rikonstruimit e Sallës Universale – Shkup. Kryeministri Zaev, bashkë me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, sot njoftuan për fillimin e rindërtimit të Sallës Universale, për qëllimin e së cilës promovohet projekti i përpunuar nga arkitekti Bujar Muça. Punët ndërtimore duhet të fillojnë në maj të këtij viti.
“Salla Universale, në kohën kur është ndërtuar, e dërgoi mesazhin deri te Shkupi pas-tërmetit se jeta duhet të vazhdojë. Sot, në kushte të pandemisë botërore kur fillojmë me riparimin e saj, Salla Universale përsëri dërgon mesazhin e njëjtë se jeta duhet të vazhdojë. Edhe njëherë solidariteti del në shprehje. Arkitekti Muça dhe byroja e tij arkitektonike “Megaron”, Qytetit të Shkupit dhe shkupjanëve ua hapi rrugën projektit ideor për rindërtimin e Sallës Universale si donacion. Qyteti i Shkupit e pranoi donacionin dhe pasi të përfundojë tenderi për realizuesit e punës parashihet fillim i rikonstruimit më 1 maj. Me hapjen e sërishme të dyerve të Sallës Universale, të cilat që 5 vite e gjysmë janë të mbyllura, do të krijohen të gjitha kushtet që të hapen edhe portat e Shkupit me pretendim në vitin 2028 me krenari të mbajë titullin e Kryeqyteti Evropian i Kulturës", deklaroi Zaev, duke shtuar se Qeveria gjithmonë do të frymëzohet nga projekte që janë me interes të menjëhershëm dhe përfitim për qytetarët.
Kryetari i Qytetit të Shkupit Shilegov shprehu falënderim të madh deri te Qeveria e cila ndau 120 milionë denarë mjete nga Buxheti për realizimin e këtij projekti që ka domethënie të madhe për kulturën shkupjane dhe maqedonase.
“Salla Universale ishte institucioni favorit i shumë shkupjanëve, ndërsa për shumë fëmijë, është vendi i koncertit të parë apo ngjarjes së parë kulturore, ndërsa për mua kjo është arsye e mjaftueshme dhe motiv që përsëri t’i hapim dyert e saj për vizitorët”, tha Shilegov.
Në përputhje me drejtimet e projektimit, Salla Universale do të mbajë formën ekzistuese me riorganizim të brendshëm të hapësirës me materiale të reja bashkëkohore për fasadë dhe vetë objekti do të jetë me efikasitet energjetik.
Qeveria vazhdon me mbështetjen e projekteve kapitale të komunave. Gjatë vitit të fundit 2020, përmes rebalancit të Buxhetit janë mbështetur gjithsej 19 projekte investuese kapitale në komuna në vend, në vlerë prej 244 milionë denarë ose 4 milionë euro. Për vitin e ardhshëm në Ministrinë e Kulturës janë shpërndarë 217.000.000 denarë për vazhdimin e ndërtimit të Teatrit Turk në Shkup, për fazën e dytë të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, si dhe për punët përfundimtare të Teatrit në Strumicë.