Policia Pyjore u furnizua me uniforma të reja dimërore dhe verore

Sot, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, u realizua konferencë e përbashkët për shtyp nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha dhe Zëvendëskryeministri për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Resurseve Njerëzore, Ljupço Nikovski. Në konferencën e përbashkët për shtyp, ata njoftuan prokurimin e uniformave të reja për nevojat e Policisë Pyjore.

 

Pjesëtarët e Policisë Pyjore, pas plot 12 vitesh, do të furnizohen me uniforma të reja. Secili polic pyjor do të marrë dy palë uniforma dimërore dhe dy palë uniforma verore, për prokurimin e të cilave, në përputhje me Rregulloren për Uniformë dhe llojin e armëve që mbajnë pjesëtarët e Policisë Pyjore ishte shpallur tender. Në ditët në vijim, uniformat e reja do të dorëzohen në të gjitha Stacionet e Policisë Pyjore në tërë vendin tonë.

Vlera e prokurimit është rreth 10 milion denarë, mjete të siguruara nga buxheti i MBPEU.

“Do të doja të theksoja se ne vetëm po zbatojmë detyrimin tonë ligjor, pra angazhohemi që të mbrojmë dhe të sigurojmë të gjitha kushtet e nevojshme që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin gjatë punës për të gjithë punonjësit tanë. Policia Pyjore kryen detyrat e saj të punës në terren, dhe një nga masat për mbrojtjen nga rreziku në punë është që të kenë pajisje të përshtatshme personale të punës, dmth këpucë dhe uniforma. Sot është Dita ndërkombëtare e shëndetit dhe sigurisë në punë. Më vjen mirë që pikërisht në këtë ditë, ne po promovojmë uniformën e re, e cila është bërë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe me rregulloret ndërkombëtare në lidhje me dizajnin dhe prodhimin, dhe veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve,” deklaroi Hoxha.

Ai gjithashtu kujtoi se ditë më parë Policia Pyjore u furnizua edhe me çizme të reja, që poashtu ishte  për herë të parë pas 12 vitesh, ministri gjithashtu theksoi se ishte nënshkruar edhe Marrëveshja e re Kolektive, e cila ka rritur pagën e pjesëtarëve të Policisë Pyjore për 30%. Ministri Hoxha shprehu edhe pritjen dhe dëshirën e tij që Policia Pyjore edhe më tej të vazhdojë të bëjë përpjekje maksimale në luftën kundër grupeve të organizuara që në vazhdimësi po shkatërrojnë pyjet tona, sepse çdo pemë e prerë prek shumë breza pas nesh, kurse dëmi që ata shkaktojnë nuk matet me gjobat e vendosura. Në fund, ministri Hoxha tha se ai beson fuqimisht në Policinë Pyjore dhe është i bindur që ata do të vazhdojnë të mbrojnë pyjet tona, duke bërë kështu një të mirë më të madhe për të gjithë ne dhe për të gjitha brezat e ardhshëm.

Procesi i pajisjes së Policisë Pyjore me këpucë dhe uniforma të reja, filloi shumë kohë më parë se dita e sotme, si një nga qëllimet e ish-ministrit të Bujqësisë, Ljupço Nikollovskit, kurse realizimin po e përjeton pikërisht në këtë ditë.

“Këto janë punë që për vite me radhë ishin vetëm në letër dhe ishin promovuar vetëm në mënyrë deklarative, por tani ato po bëhen realitet, ne po punojmë së bashku për të forcuar Policinë Pyjore, si një sektor që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kontrollet e prerjeve të paligjshme dhe ruajtjen e burimeve natyrore. Personalisht, jam shumë i kënaqur që disa procese që u filluan në kohën kur unë isha ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave janë tashmë duke u realizuar dhe  po zbatohen vazhdimisht dhe pa ndërprerje. Këto aktivitete ndikojnë në rritjen e motivimit të pjesëtarëve të Policisë Pyjore, si dhe pozicionin e tyre, me të cilin do të kontribuojnë në luftën kundër prerjeve të paligjshme dhe mbrojtjen e pyjeve tona”, tha Zëvendëskryeministri, Nikollovski. Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit është një angazhim strategjik i kësaj qeverie dhe se askush nuk është i paprekshëm. Ai shprehu kënaqësinë me punën e Policisë Pyjore dhe vlerësoi Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Sektorin e Policisë Pyjore, për përpjekjet dhe aktivitetet e ndërmarra për të përmirësuar kushtet e punës së punonjësve të Policisë Pyjore.

Për punën e ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme të pjesëtarëve të Policisë Pyjore, sektori ka edhe konfirmim zyrtar nga Organizata Botërore e Doganave dhe nga Interpol. Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe prerjeve të paligjshme të pyjeve do të vazhdojë me hapa shumë më intensivë, në të cilin do të përfshihen në mënyrë aktive dhe të përbashkët më shumë institucione.