Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 68-të miratoi vendimin sipas të cilit nga data 5 maj, e mërkurë, ndalesa për lëvizje me qëllim të mbrojtjes nga Kovid-19 në vend të orës 21:00, do të fillojë prej orës 23:00 dhe do të zgjasë deri në orën 05:00 të ditës së ardhshme. Masa fillon të vlejë nga data 5 maj dhe do të zgjasë deri në 15 maj.
Në bazë të këtyre ndryshimeve objektet e hotelerisë do të jenë të hapura deri në orën 22:30 dhe atë vetëm në pjesët e hapura, tarraca në objektet e hotelerisë, siç është përcaktuar me masat aktuale dhe protokollet e dedikuara.
Komisioni për Sëmundje Infektive në mënyrë shtesë propozoi, ndërkaq Qeveria në mbledhje miratoi vendosjen e një mase të detyrueshme për vetë-izolim, në zgjatje prej 14-të ditëve për të gjithë personat vendas dhe të huaj - udhëtarë që vijnë nga India dhe Brazili për shkak të parandalimit të përhapjes të llojeve të reja të SARS-CoV -2.
Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi vendimin për formimin e Trupit koordinues për mbështetjen e reprezentacionit të futbollit në Kampionatin Evropian të futbollit në vitin 2020, i shtyrë nga viti i kaluar, ndërkaq që do të mbahet këtë vit. Trupi koordinues ka për qëllim që të ndihmojë në organizimin, komunikimin dhe promovimin në ndeshjet e reprezentacionit të futbollit të Maqedonisë së Veriut në këtë garë evropiane.
Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin për statutin dhe gjendjen e avionëve Er Traktor- Fajr Bos AT-802A të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, e ngarkoi Drejtorinë të vazhdojë me procedurën për servisim vjetor të avionëve dhe solli konkluzion që nga Byroja për Furnizim Publik të kërkohen udhëzime për një zgjidhje më të mirë dhe adekuate për realizimin e furnizimit publik në afate të shkurtuara në interes të zbatimit të servisimit të avionëve.
Qeveria shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin dhe e pranoi tekstin e harmonizuar të Marrëveshjes për grant për partneritetit dhe zhvillim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja e grantit në lartësi prej 8,258,792 dollarë amerikanë ka për qëllim të forcojë konkurrencën ekonomike, për projekte për të rritur kontributin e të rinjve në shoqëri, si dhe për projekte për të luftuar korrupsionin përmes rritjes së llogaridhënies së sektorit publik dhe me nxitjen e një kulture të llogaridhënies midis qytetarëve.
Në këtë mbledhje, Qeveria e miratoi tekstin e Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për tokë ndërtimore.
Me zgjidhjen e re të propozuar ju mundësohet kompanive të prekura nga kriza e shkaktuar nga sëmundja ngjitëse KOVID-19 të lirohen nga detyrimet / gjobat kontraktuale (pagesa e gjobave) për kontratat e tjetërsimit ose dhënia e qirasë afatgjate përmes ankandeve publike dhe anekseve të nënshkruara me njësitë e vetëqeverisjes lokale për shkak të pamundësisë objektive t’i realizojnë aktivitetet ndërtimore.
Në mbledhjen e 68-të Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi tekstin e harmonizuar të Memorandumit për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës Çeke dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim teknik për çështjet në lidhje me rregullimin e helikopterëve transportues që janë në dispozicion të të dy ministrive dhe të cilat në periudhën e ardhshme duhet të servisohen, gjegjësisht të rregullohen.