Nga mbledhja e 71-të e Qeverisë: Vendim urgjent për të gjitha kontrollet e detajuara të të gjitha informacioneve të publikuara dhe të papublikuara për rastin “import i derivateve të naftës” ; Qeveria do ta vazhdojë debatin publik për Ligjin për legalizim

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 71-të diskutoi dhe e vlerësoi si të jashtëzakonshme dhe urgjente Informacionin e publikuar në opinion nga ana e Laboratorit të Raportimit dhe Hulumtimit – LRH për ekzistimin e dyshimeve që në një periudhë të caktuar në vend janë importuar derivate toksike të naftës të rrezikshme për shëndetin dhe ambientin jetësor, të cilat gjatë importit kanë hyrë si mazut dhe siç publikoi LRH janë përdorur si derivat për ngrohje në më shumë institucione shtetërore, por edhe si derivat në kompani private në vend.

Qeveria me shqetësim dhe kujdes iu qas informacioneve të publikuara dhe e konfirmoi angazhimin e fuqishëm dhe vendimtar, se nuk do të ketë kompromise kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve dhe mbrojtja e mjedisit jetësor. Me qëllim të zbardhjes së të gjitha çështjeve, dilemave dhe dyshimeve të deklaruara në publik, Qeveria, me propozim të zëvendëskryetarit të Qeverisë të ngarkuar për Luftë Kundër Korrupsionit, Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Burime Njerëzore konkludoi se janë të nevojshme kontrolle të shpejta, thelbësore dhe të hollësishme të të gjitha informacioneve të publikuara dhe të pa publikuara për rastin në përputhje me kompetencat e secilit institucion për import, tregti dhe kontroll.

Qeveria e ngarkoi Drejtorinë Doganore që të zbatojë kontroll të brendshëm për rastin konkret, gjegjësisht të hetohet se sa sasi të derivateve të naftës janë importuar që nga viti 2018 deri në vitin 2020 dhe nën cilën shifër doganore është bërë importi dhe nëse të dhënat e deklaratave korrespondojnë me derivatin që është importuar.

Inspektorati Shtetëror i Tregut, në bashkëpunim me Byronë për Standardizim dhe Metrologji dhe me ndihmën e laboratorit mobil të akredituar për kontroll të cilësisë së derivateve të naftës, menjëherë duhet të zbatojë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në kompanitë të cilat importojnë, si dhe në institucionet të cilat përdorin këso derivate.

Qeveria e ngarkoi edhe Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor të zbatojë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në kompanitë importuese dhe përdorues të mazutit dhe të derivative të tjera të naftës.

Si përfundim për këtë pike është edhe obligimi për Ministrinë e Ekonomisë që të kërkohet se çka saktë hetohet gjatë importit sipas Rregullores për Cilësi të karburanteve të lëngshme dhe nëse dispozitat e Rregullores zbatohen sipas standardeve evropiane.

Si konkluzion të fundit Qeveria dha urdhër që të gjitha institucionet e përfshira me këto obligime kontrollet t’i bëjnë menjëherë, ndërsa informacionet të dorëzohen në afat prej 14 ditësh.

Qeveria rregullisht do ta informojë opinionin për të gjitha informacionet e reja në lidhje me importin e derivateve të naftës për të cilat ka dyshime

Qeveria në këtë mbledhje e hapi debatin për konfirmimin e udhëzimeve në lidhje me Propozim-ligjin për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme, i cili u kthye në Kuvend pas vendimit të Presidentit Stevo Pendarovski që të mos e nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit.

Në debatin e gjerë dhe të plotë, u theksua se në përputhje me procedurat ligjore për situata të tilla, Qeveria do të inkurajojë debat publik me palët e interesuara, si dhe konsultime me grupet parlamentare dhe kryetarët e Parlamentit dhe shtetit për ta arritur një zgjidhje më të mire ligjore.

 

Në këtë drejtim, do të hapen për përpunim edhe zgjidhje më të mira për propozimet në lidhje me periudhën kohore me të cilën duhet të përfshihet legalizimi i ndërtimeve të paligjshme, pastaj dallimin e vërtetë midis objekteve që janë për strehim personal dhe atyre që janë ndërtuar si ndërtesa banimi për përfitim, si dhe çështja e një dispozite ligjore kategorike dhe të qartë se legalizimi nuk do të përfshijë ndërtesa të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zona të mbrojtura, si dhe të gjitha çështjet e tjera të ngritura nga opinioni dhe qytetarët.

Në mbledhjen e sotme, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Qeveria konkludoi që masat aktive për kufizimin e lëvizjes në vend se deri më 18-të maj, të vazhdojnë deri me 1 qershor të vitit 2021.

Qeveria e ngarkoi Sekretariatin e Përgjithshëm  të shpallë thirrjen publike për mbështetje financiare për studiot e regjistruara për fotografi dhe qendrat e  fitnesit në kuadër të pakos së gjashtë të masave ekonomike për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit dhe dalje nga kriza ekonomike shkaktuar nga COVID-19.

Thirrja ka për qëllim të sigurojë mbështetje financiare për studiot e regjistruara për fotografi dhe qendrat e fitnesit të cilat ishin të mbyllura me vendim të Qeverisë për ndalesë të tërësishme për vizitorë dhe mysafirë.

Vlera për mbështetje llogaritet si vlerë prej 30% nga të ardhurat mesatare mujore, ndërsa në mënyrë plotësuese, çdo subjekt aktiv i regjistruar do të merr mbështetje financiare në vlerë prej 15.200 denarë për punonjës, sipas numrit të orëve efektive të punës, me mesatare prej 31.12.2020.

Afati për dorëzimin e kërkesave për këtë thirrje publike është 1 qershor 2021.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka shqyrtuar dhe ka miratuar informacionin për formimin e “Grupit të punës për përgatitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve të jurisprudencës për dekriminalizimin, legalizimin dhe shfrytëzimin e përfitimeve mjekësore, sociale dhe ekonomike të kanabisit” të përbërë nga institucione, shoqata dhe organizata civile dhe në bazë të kërkesave të dorëzuara dhe propozimeve nga palë të ndryshme të interesuara në Zyrën e Kryeministrit të RMV-së.

Për koordinator të grupit të punës është emëruar Koordinatori Nacional për Komunikime strategjike në Qeveri, ndërsa në të do të marrin pjesë dhe do të ftohen për të marrë pjesë këto institucione:

-Përfaqësues i Kabinetit të Kryeministrit;

-Përfaqësues i MSH-së;

-Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;

-Përfaqësues i MPB-së;

-Përfaqësues i Shoqatës së Toksikologëve;

-Përfaqësues i Shoqatës së Pediatrëve;

-Përfaqësues i Shoqatës së Onkologëve;

-Përfaqësu i Shoqatës së Farmaceutëve të Rinj;

-Përfaqësues i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut

-Përfaqësues i Opsionit për jetë të shëndetshme – Shkup;

-Përfaqësues i Koalicionit “Margjinat’;

-Përfaqësues i Shoqatës “Operacioni lirimi”;

-Përfaqësues i Shoqatës për kanabis dhe plitika të gjelbërta “Bilka”;

-Përfaqësues i OJQ Kaolicioni kanabis – Instituti Pelagonija;

-Përfaqësues i Këshillit Nacional Rinor të Maqedonisë;

-Përfaqësues i Mak Kanabis, Shoqata për prodhimin e kanabisit mjekësor.

Mandati i Grupit të punës do t`i përfshijë këto cështje që lidhen me rregullimin e prodhimit dhe përdorimit të kanabisit;

-Dekriminalizimi dhe legalizimi për posedim dhe përdorim personal;

-Dekriminalizimi i kultivimit të bimëve për përdorim personal;

-Shqyrtimi i mundësive për themelimin dhe punën e klubeve sociale;

-Rritja e numrit të situatave shëndetësore për të cilat mund të përdoret kanabisi;

-Leje për mjekët nga shëndetësia private që të shkruajnë preparate nga kanabisi dhe mundësia që pacienti i cili ka marrë rekomandimin për t`u mjekuar me kanabis të mund vet të kultivojë dhe të shfrytëzojë formën që i përgjigjet më së miri për situaën e tij (orale, përmes inhalimit ose përmes supozitorëve);

-Themelimi i Agjencisë për Kanabis;

-Formimi i Fondit nga taksat/tatimet që kompanitë që prodhojnë dhe tregtojnë me kanabis do t`i paguajnë shtetit, me qëllim të mbështetjes së projekteve me interes shoqëror në sferën e mjekimit të sëmundjeve të rralla, mediave, punonjësve të mediave dhe produksionit të përmbajtjeve vendore mediale, shoqërisë civile, kulturës dhe sportit, si dhe për mbështetjen e punës së Agjencisë për Kanabis.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për nevojën e furnizimit të automjeteve motorike nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHBPPP) dhe e ngarkoi atë të fillojë një procedurë për furnizim publik shumëvjeçar të 45 automjeteve motorike, përmes lizingut operative (qira biznesi) me një kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Ky vendim u mor bazuar në karakteristikat e të gjitha mënyrave të mundshme të blerjes së automjeteve motorike, detyrimet që rrjedhin prej tyre, si dhe nga aspekti i zbatimit eksperimental të qirasë operative deri më tani, dhe në përputhje me të gjitha informacionet, Qeveria e pranoi mendimin e (SHBPPP-së) se opsioni më i mirë është kryerja e një prokurimi publik shumëvjeçar të automjeteve përmes lizingut operativ për shkak të barrave më të ulëta financiare.

Në këtë mbledhje Qeveria e miratoi Vendimin për miratim për kryerjen e veprimtarisë së arsimit të lartë të institucionit të huaj të arsimit të lartë – Universiteti  Veliko Tërnovo “Shën Kirili dhe Metodi” nga Veliko Tërnova, Republika e Bullgarisë, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për gjendjen faktike të përcaktuar nga kontrolli i kryer dhe kontrollin e projekteve të zgjedhura në konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes nacional nga sfera e folklorit, muzikës dhe veprimtarisë muzikoro-skenike dhe projektet interdisiplinore për vitin 2020 dhe e ngarkoi Ministrinë e Kulturës të paguajë gjithsej 29.519.658 denarë për ata përdorues të cilët në përputhje me kontrollin e kryer kanë dorëzuar dokumentacion të plotë dhe dëshmi për realizimin e projektit.

Ministria e Kulturës në procedurë të rregulluar me ligj dhe pas mbikëqyrjes së kryer inspektuese nga Sektori për mbikëqyrje administrative dhe inspektuese gjatë ministrisë do t’i shkëpusë marrëveshjet me ata shfrytëzues të cilën në pajtim me kontrollin e bërë nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe dëshmi për projektin e realizuar dhe do të kthehet në mjetet e paguara.

Në afat prej pesë ditësh nga miratimi i këtij informacioni, Ministria e Kulturës duhet t’i informojë: Entin Shtetëror për Revizion, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Drejtorinë për Polici Financiare me qëllim që në pajtim me kompetencat e veta ligjore, të bëjnë kontroll në punën e Ministrisë së Kulturës në pjesën e ligjshmërisë së marrëveshjeve të kontraktuara dhe anekseve të marrëveshjeve më 24 korrik 2020.

Me propozim të Komisionit për emërime, Qeveria e emëroi Aneta Simeska Dimoska u.d. drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, organ në përbërje të Ministrisë së Ekonomisë.

Aneta Simeska Dimoska është inxhiniere e diplomuar teknologe dhe magjistre për biznes administratë me specializim për revizion komercial të raporteve financiare në kushte të zbatimit të teknologjive të informacionit. Ka përvojë 28 vjeçare, prej të cilave 19 vite si inspektore shtetërore e tregut, ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2020 ishte deputete në Kuvend.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që për zëvendësdrejtor të Agjencisë për Administratë ta emërojë Agron Seferin, ndërsa në Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale – Shkup, i propozon për ushtrues detyre, zëvendësdrejtor të rizgjidhet Samka Ibraimoski. 

Në mbledhjen e sotme Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi informatën për pagesën e pensioneve për muajin maj 2021 dhe ngarkoi Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor që t’i dorëzojë të dhënat për pensione deri te bankat më së voni deri më 25.05.2021, që të mundet pensionistët të kenë në dispozicion mjetet për muajin maj përmes bankomateve dhe rrjetit tregtar nga 26.05.2021.

Qeveria ju sugjeron bankave që përmes filialeve dhe ekspoziturat të sigurojnë pagesë të gatshme të pensioneve për klientët që nuk shfrytëzojnë kartela në katër grupe sipas radhitjes në vazhdim sipas vlerës së pensionit:

– për pensione në vlerë nga 11.000 den, pagesa të kryhet me 26.05.2021 (e mërkurë)

– për pensione në vlerë 11.001-14.000 den, pagesa të kryhet më 27.05.2021 (e enjte);

– për pensione në vlerë nga 14.001-18.000 den, pagesa të kryhet më 28.05.2021 (e premte); dhe

– për pensione në vlerë nga 18.001 den, pagesa të kryhet me 31.05.2021 (e hënë).