Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme i plotësoi masat për parandalimin e përhapjes së virusit që shkakton sëmundjen ngjitëse KOVID-19, me të cilat nga 1 shtatori i vitit 2021, shtetasit tanë dhe të huaj edhe për dalje nga territori i Republikës të Maqedonisë së Veriut në pikat kufitare do të duhet të dorëzojnë:
-Certifikatë / vërtetim për imunizim (vaksinim) me virusin SARS-CoV-2, gjegjësisht dy doza vaksine të marrë kundër sëmundjes infektive KOVID-19; ose
- Certifikatë / vërtetim për kalimin e KOVID-19 në 45 ditët e fundit, duke llogaritur nga dita e shërimit; ose
- Vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi PCR SARS-CoV-2, i bërë 72 orë para daljes nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ose test negativ të shpejtë për trupat antigjene të bërë 48 orë para largimit nga vendi.
Qeveria gjithashtu e plotësoi vendimin për karantinë të detyrueshme shtëpiake për periudhë kohore prej 7 ditësh nëse për hyrje në vend nuk kanë test negativ PCR, ose vërtetim për vaksinë të marrë ose vërtetim që ka kaluar KOVID-19, me të cilën kohëzgjatja e karantinës mund të shkurtohet në 5 ditë nëse gjatë asaj periudhe dorëzohet test negativ PCR. Kjo vlen për shtetasit vendas dhe për ata të huaj. Shpenzimet e izolimit shtetasit e huaj do t’i mbulojnë vetë.
Sot, Qeveria miratoi ndryshimet me të cilat parashikohen përjashtime nga kjo masë për qytetarët tanë vozitës të mjeteve transportuese, si dhe për drejtuesit e mjeteve transportuese të shtetasve të huaj që kalojnë transit nëpër vend.
Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe përjashtimi nga masa për transit për ekuipazhet e avionëve që zbresin në aeroportet ndërkombëtare në vend, sipas së cilit në vend të 5 orëve u lejohet qëndrim më i gjatë transit për shkak të natyrës së punës së tyre.
Qeveria sot e pranoi propozimin e Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse për organizimin e mësimit online në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar në kohëzgjatje prej 14 ditësh nga fillimi i vitit shkollor, dhe mësim online për 7 ditët e para në Kërçovë dhe Strugë, për shkak të situatës me virusin në këto komuna, sipas të cilit, pas përfundimit të kësaj periudhe, do të merret vendim i ri në përputhje me zhvillimin e situatës.
Në mbledhjen e sotme, u plotësua protokolli për numrin e fëmijëve në grupe në kopshte, me të cilin u rrit numri i fëmijëve nga 21 në 25 fëmijë dhe atë vetëm në grupe të mëdha, dhe jo për grupet nga 0 në 2 vjet.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për Marrëveshjen për Bashkëpunim midis NER SHA Shkup dhe DESFA S.A. për realizimin e projektit për ndërtimin e Gazsjellësit ndërlidhës mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë me propozim Vendim për garantimin e realizimit.
Pas memorandumit për bashkëpunim në nivelin e ministrive, kjo marrëveshje është hapi i fundit për fillimin e punimeve të ndërlidhësit për lidhjen e gazit mes dy vendeve, të cilin duhet ta zbatojnë dy kompanitë që kanë kompetencë të drejtpërdrejtë mbi këtë projekt.
Në këtë mbledhje, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për procesin e përgatitjes së Programit të Reformave Ekonomike (PER) 2022-2024 me Plan Veprimi për përmbushjen e konkluzioneve të përbashkëta nga Dialogu Ekonomik - Financiar me Bashkimin Evropian nga 12 korriku të vitit 2021.
Programi i Reformave Ekonomike (PRE) përmban parashikime makroekonomike, plan buxhetor për tre vitet e ardhshme, plan për reforma strukturore, analizë të shkallës së zbatimit të reformave strukturore, si dhe një pasqyrë të aktiviteteve të ndërmarra në lidhje me rekomandimet e konkluzioneve të përbashkëta. PRE është një dokument trevjeçar afatmesëm, azhurnohet çdo vit dhe i dorëzohet Komisionit Evropian, i cili vlerëson reformat e realizuara ekonomike.
Sipas Vështrimit Horizontal të Programeve për reforma ekonomike 2021 - 2023 të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, të cilat i bën Komisioni Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur suksesin më të madh në zbatimin e rekomandimeve të Dialogut Ekonomik - Financiar të vitit të kaluar.
Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për miratimin e Strategjisë Afatgjate me veprim për klimë me Plan Veprimi i cili përcakton kontributin e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet globale, nëpërmjet rrugës drejt zhvillimit të gjelbër, të karbonit të ulët dhe rezistues ndaj klimës, të bazuar në informacionet më të mira në dispozicion dhe në kuadrin e aderimit të vendit në BE.
Sipas Marrëveshjes së Parisit, miratimi i Strategjisë së qartë afatgjate me veprim për klimën me Plan Veprimi është një hap drejt arritjes së qëllimit për kufizim të rritjes globale të temperaturës me 1.5-2 ° C me zero emetime të gazrave serrë deri në mes të shekullit 21.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin për mbështetjen e SHBA-ve në rindërtimin e objektit të Qendrës për Menaxhim me Kriza në Kumanovë, i cili duhet të shndërrohet në Qendër Trajnimi për rritjen e kapaciteteve të sistemit për menaxhim me fatkeqësitë natyrore.
Kur ky objekt të jetë gati, ai do të pajiset plotësisht për punë funksionale të Qendrës për Trajnim, si dhe për akomodimin e Shtabit Rajonal për Menaxhim me Kriza në Kumanovë, i cili mbulon 6 komuna në rajonin verilindor, duke përfshirë edhe rajonet kufitare me vendet fqinje Serbinë dhe Bullgarinë.