Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 23-të miratoi Vendimin për formimin e Komisionit Këshillues për zbatimin e Planit për intervenimet në rast të ndërprerjes së jashtëzakonshme së furnizimit të tregut me naftë të papërpunuar dhe/ose derivate të naftës.
Komisioni Këshillues ka për detyrë të iniciojë propozim për sjelljen e një vendimi për ndërprerjen e jashtëzakonshme në furnizimin e tregut me naftë të papërpunuar dhe derivate të naftës dhe shpalljen e gjendjes së krizës së naftës; të propozojë masa dhe vendime për normalizimin e furnizimit të tregut me naftë të papërpunuar dhe derivate të naftës; të propozojë masa shtesë për normalizimin e furnizimit të tregut, si dhe çështje të tjera në përputhje me ligjin dhe Rregulloren e punës që duhet t’i miratojë në mbledhjen e parë konstituive.
Qeveria në mbledhjen e sotme solli vendimin për pagesën e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore që kanë pësuar bujqit në vitet 2016, 2017 dhe 2018. Lartësinë e dëmshpërblimit do të jetë 10% e vlerës së përgjithshme të vlerësuar. Me vendimin janë përfshirë 35 elaborate të dorëzuara nga 29 komuna, do të dëmshpërblehen mbi 9.100 qytetarë dhe subjekte juridikë.
Qeveria në mënyrë shtesë miratoi vendimin për pagesën e dëmshpërblimit për fatkeqësitë nga fatkeqësitë natyrore në kulturat bujqësore në vitin 2021 në komunat Rosoman, Demir Kapi, Rankovcë, Karbinc dhe Bogdanc. Përqindja e përgjithshme e dëmshpërblimit për të gjitha 5 komunat është 10% e dëmit të vlerësuar. Me vendimin do të paguhen 1.072 persona fizikë dhe juridikë.
Për këtë qëllim gjithsej për të gjitha komunat ku ka pasur fatkeqësi nga moti dhe fatkeqësi natyrore nga Buxheti do të paguhen rreth 4,5 milionë euro.
Qeveria sot e miratoi Programin për mbështetje financiare të zhvillimit rural për vitin 2022 në vlerë prej 1,3 miliardë denarë.
Ky program ka për qëllim të realizohen politikat e zhvillimit rural, që fokusohen në: Mbështetjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, në ekonominë e ujërave dhe infrastrukturën publike dhe përmirësimin e jetës në ambientet rurale; sigurimi i prodhimtarisë stabile të ushqimit cilësor; rritje e aftësisë konkurruese të bujqësisë; sigurimi i nivelit stabil të të ardhurave të ekonomisë bujqësore; promovimi i mënyrave të reja të organizimit në nivel lokal, përmes themelimit të partneriteteve publike private (LAG); mbështetje për shoqatat ekonomike të prodhuesve bujqësor në formë të kooperativave bujqësore; për ruajtjen e llojllojshmërisë së bimëve bujqësore autoktone dhe racat autoktone të blegtorisë, ndihmë për kryerjen e veprimtarisë bujqësore në zonat me mundësi të kufizuara për veprimtari bujqësore dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Qeveria në këtë mbledhje ka pranuar propozimet e Shtabit kryesor koordinues të krizës për përballje me pasojat e KOVID-19 që erdhën si rezultat i rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse (KSN).
Sipas këtyre propozimeve, Qeveria ka sjellë vendim të hiqet masa e posedimit të detyrueshëm të certifikatës Kovid-19 për hyrje në qendra tregtare ku mbetet e detyrueshme mbajtja e maskës, ndërsa detyrimi për posedim të detyrueshëm të certifikatës Kovid-19 mbetet për hyrje në objektet gastronomike ku do të shërbehet ushqimi/pijet që janë në kuadër të qendrave tregtare.
Qeveria ka pranuar propozimin që kohëzgjatja e certifikatës për sëmundjen nga KOVID-19, në vend të 45 ditëve të deritashme, të zgjasë 180 ditë, gjegjësisht gjashtë muaj, duke llogaritur nga data e testit PCR pozitiv.
Në bazë të rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Qeveria ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit me të cilin gratë shtatzëna lirohen nga puna dhe përgjegjësitë e punës me prezencë fizike në vendin e tyre të punës. Me këtë vendim është pranuar edhe rekomandimi që gratë shtatzëna të vaksinohen.
Në lidhje me këtë pikë, Qeveria vendosi të ndërpritet kërkesa për certifikatë të detyrueshme KOVID-19 për dalje nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e detyroi Ministrinë e Punëve të Brendshme, në koordinim me Ministrinë e Financave, ndërsa në bashkëpunim edhe me Byronë Nacionale për Sigurim dhe Agjencinë për Mbikëqyrjen e Sigurimit dhe Shoqatën e Kompanive të Sigurimit, në afat prej dy ditësh, të parashtrojnë propozimin e duhur në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të gjendet mënyra që automjetet ukrainase për udhëtim që nuk posedojnë karton të gjelbër, të hyjnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të përfshihen në komunikacion, pa u kërkuar që ta mbulojnë vetë kompensimin.