Nga mbledhja e 109-të e Qeverisë: u përcaktua Propozim-buxheti i plotësuar për vitin 2023; miratohen dy vendime lidhur me Gazsjellësin ndërlidhës me Greqinë; miratohen informacione për themelimin e tre institucioneve të reja kombëtare në fushën e kulturës

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e sotme e përcaktoi Propozim-buxhetin e plotësuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023.

Propozim-buxheti i plotësuar paraqet tekst integral të ri në të cilin Qeveria i fut amendamentet e pranuara, pas debateve në komisionet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ku ishte shqyrtuar dhe me ndryshimet e nevojshme dhe plotësimet e propozuara nga Ministria e Financave.

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për sjelljen e Planit urbanistik për rajonet dhe ndërtimet me rëndësi shtetërore për Gazsjellësin interkonektues Republika e Maqedonisë së Veriut – Greqia dhe e solli Planin urbanistik.

Projekti i Gazsjellësit ndërlidhës i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Republika e Greqisë paraqet një pjesë të rrjetit të përgjithshëm që duhet të ndërtohet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky gazsjellës do të jetë gazsjellës që e lidhë sistemin për përçimin e gazit të Maqedonisë së Veriut me Sistemin nacional grek për përçimin e gazit natyror (NNGTS) në Nea Meimvria. Gazsjellësi, sipas asaj që thuhet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, do të jetë pjesë përbërëse e Sistemit nacional të gazifikimit në Maqedoninë e Veriut dhe do të mundësojë transmision të dyanshëm të gazit natyror në këtë pjesë juglindore të shtetit. Aksi për interkoneksion midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në territorin e shtetit tonë është me gjatësi prej 66.7 kilometrash. Aksi fillon në kufirin me Greqinë dhe përfundon në Negotinë, ndërsa pika përfundimtare e këtij aksi është bashkim me bllok stacionin tashmë të ndërtuar BS-08.

Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për kontraktimin e Marrëveshjes për kapacitetin e rezervuar prej më parë (Advance reservation capacity agreement – ARCA), për rezervimin e kapacitetit nga pala greke për pikën interkonektuese Evzoni – Gjevgjeli dhe e miratoi kontraktimin e Marrëveshjes, duke e sjellë Vendimin me tekstin e propozuar.

Realizimi i projektit për ndërtimin e gazsjellësit ndërlidhës me Republikën e Greqisë është gazsjellës kryesor për përçimin e gazit natyror për të lidhur Republikën e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Greqisë, i cili do të mundësojë sigurimin e sasive shtesë të gazit natyror për shtetin nga burime të ndryshme të furnizimit me gaz natyror. Ky gazsjellës ndërlidhës do të mundësojë diversifikimin, sigurinë e furnizimit dhe mundësinë e uljes së çmimit të importit të gazit natyror, pasi do të sigurojë disponueshmërinë e gazit natyror nga disa burime të ndryshme të gazit natyror.

Qeveria me propozim të Ministrisë së Kulturës sot i shqyrtoi dhe i miratoi informacionet për nevojën e themelimit të tre institucioneve nacionale nga sfera e kulturës, për të cilat Ministria e Kulturës është e angazhuar në Qeveri t’i dorëzojë vendimet për themelim.

Bëhet fjalë për institucion nacional të ri “Muzeun memorial të Kongresit të Smilevës” – Smilevë.

Sot, ky Muze përkujtimor funksionon si degë e Entit dhe Muzeut - Manastir, megjithëse është më shumë se tridhjetë kilometra larg institucionit amë, dhe është i rëndësishëm sepse përmes dokumenteve tekstuale dhe fotografive, sepse përfaqësohet rëndësia e Kongresit të Smilevës së vitit 1903.

Po themelohet edhe një institucion i ri kombëtar “Teatri muzikor” në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Tetovë.

Veprimtaria kryesore e këtij institucioni do të jetë interpretimi, promovimi dhe afirmimi i muzikës klasike, xhaz, vokale dhe vokalo-instrumentale shqiptare, ndërsa objektivat e programit do të kenë qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.

Do të themelohet edhe institucioni i ri kombëtar “Orkestra kamertale e Manastirit” – Manastir, që pritet të rrisë dukshëm ofertën kulturore të gjithë rajonit planor të Pellagonisë, përfshirë qytetet Manastir, Prilep, Demir Hisar, Krushevë dhe Resnjë.

Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar edhe vendime kadrovike.

Në mbledhje u shkarkua drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska.

Qeveria e emëroi Goran Trajkovskin, ushtrues detyre drejtor i ri i Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

Ushtruesi i ri i detyrës së drejtorit, Goran Trajkovski është i diplomuar në ekonomi dhe ka magjistruar në shkencat ekonomike, ndërsa në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut vjen nga pozita menaxheriale në sektorin privat, ku në përvojën e tij shumëvjeçare, bashkëpunon me rajonin dhe disa vende evropiane, duke ofruar vendosje dhe zhvillime të reja për kompaninë amë. Ekspertiza e tij është në fushën e kontabilitetit dhe financës, me përvojë menaxheriale në menaxhimin e një kompanie që ka prezencë rajonale në treg.

Në këtë mbledhje, si drejtor i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare, siç veçmë është njoftuar, është emëruar Zarko Milloshevski.