Nga mbledhja e 121-të e Qeverisë: Do të vendoset identitet elektronik për çdo qytetar; pagesa e pensioneve nga 30 janari; Është e detyrueshme Ministria e Ekonomisë të zbatojë Planin e propozuar për riorganizim

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhjen e 121-të.

Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për nevojën e përpilimit të një Plani për vendosjen e identitetit elektronik nacional për çdo qytetar dhe shqyrtoi dhe pranoi Planin,  së bashku me Planin e realizimit.

Qëllimi është dhënie e identitetit elektronik për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të jetë shtyllë mbështetëse për transformimin digjital të shoqërisë, e cila do të mundësojë qasje të unifikuar për përdorimin e shërbimeve elektronike dhe shkëmbimin e të dhënave, si brenda shtetit ashtu edhe jashtë tij (vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian).

Qeveria në mbledhjen e sotme e shqyrtoi dhe e miratoi Informatën  në lidhje me Planin për riorganizim të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë së cilës Ministria u ngarkua të zbatojë Planin, sipas afateve të përcaktuara në të.

Në përputhje me  Planin, parashikohet bashkimi i Inspektoratit Shtetëror të Tregut me Inspektoratin Shtetëror për Inspektim Teknik dhe formimi i një institucioni të vetëm të llojit të mbikëqyrjes inspektuese, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë – Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Inspektorati Teknik.

Sipas këtij shembulli janë paraparë bashkime edhe të: Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik me Agjencinë për Mbështetjen e Ndërmarrësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut; Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit me Drejtorinë e Zonave të Zhvillimit Industrial Teknologjik dhe Agjencisë për Energjetikë me Agjencinë për Rezervat e Detyrueshme të Naftës.

Ministria e Ekonomisë zbaton  Planin për riorganizimin e Ministrisë, në përputhje të konkluzionit të Qeverisë nga mbledhja e 8 marsit të vitit 2022, kur Ministria e Ekonomisë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Ministria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë së Ujërave ishin ngarkuar të fillojnë me zbatimin e pilot projektit të parë të sistemit ministror, ​​sipas rekomandimeve të Raportit të integruar për  riorganizim shtetëror.

Qeveria sot miratoi Programin e Punës së Qeverisë për vitin 2023, i cili është në funksion të realizimit të prioriteteve strategjike dhe synimeve prioritare për vitin 2023 të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që përmban Programi i Punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën e vitit 2022 - 2024 . Këto janë:

 

  • Sigurim i rritjes ekonomike të përshpejtuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, standard më i lartë jetësor dhe jetë cilësore e qytetarëve;
  • Avancim i tranzicionit energjetik, investim në efikasitet energjetik dhe zhvillim të gjelbër, ulje e ndotjes së ajrit dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike;
  • Ballafaqim me pasojat nga pandemia botërore shkaktuar nga KOVID-19 dhe kriza të tjera;
  • Udhëheqje e suksesshme e bisedimeve aderuese me Bashkimin Evropian;
  • Avancim i politikës mbrojtëse në funksion të zhvillimit, pavarësisë, integritetit territorial, sigurisë së qytetarëve dhe sigurisë kolektive;
  • Sigurim i sundimit të ligjit dhe pavarësisë në gjyqësor;
  • Rritje e cilësisë në arsim të qasshëm për të gjithë, sipas kërkesës së tregut të punës, zhvillimin dhe promovimin e kulturës dhe sportit;
  • Administratë publike profesionale dhe efikase, e mbështetur nga digjitalizimi intensiv, struktura optimale dhe proceset dhe teknikat inovative;
  • Zbatimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ndërtimi i një shteti civil me kohezion etnik dhe social, bazuar në parimet e tolerancës dhe respektit reciprok.

Në mbledhjen e sotme, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për pagesën e pensioneve për muajin janar të vitit 2023.

Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut është i detyruar që të dhënat për pensionet t'ua dorëzojë bankave komerciale jo më vonë se 27.01.2023, ndërsa rekomandohet që bankat komerciale të sigurojnë që pensionistët të mund të disponojnë pensionet e janarit përmes rrjetit të bankomatëve dhe në rrjetin tregtar nga 30.01.2023.

Rekomandohet që bankat e nivelit të dytë, përmes filialeve dhe ekspozituarve të bankave, të sigurojnë pagesën me para të gatshme të pensioneve për klientët që nuk përdorin kartela, në katër grupe, sipas lartësisë së pensionit, përkatësisht:
 

  • Për pensione me lartësi deri në 11.000 denarë, pagesa realizohet më 30.01.2023 (e hënë);
  • Për pensione me lartësi 11.001-14.000 denarë, pagesa realizohet më 31.01.2023 (e martë);
  • Për pensione me lartësi 14.001-18.000 denarë, pagesa realizohet më 01.02.2023 (e mërkurë) dhe
  • Për pensione me lartësi mbi 18.001 denarë, pagesa realizohet më 02.02.2023 (e enjte).

Qeveria në këtë mbledhje solli edhe konkluza lidhur me shënimin e 4 Shkurtit, ditëlindjes së Goce Dellçevit. U ngarkua Ministria e Punëve të Brendshme të ndërmerr të gjitha masat për sigurimin e realizimit të ngjarjes, në përputhje me rekomandimet nga shërbimet kompetente t kumtuara në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurisë. Delegacioni, i cili në emër të Qeverisë do të merr pjesë në Kishën Sveti Spas në Shkup dhe do të vendos lule në varrin e Goce Dellçevit, do të përbëhet nga Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska.