Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e mbajti mbledhjen e 132-të.
Qeveria në mbledhje solli vendim me të cilin ngrihet çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë (të prerë në feta ose të plota). Çmimet më të larta të prodhuesve, sipas propozimit të Ministrisë së Ekonomisë, janë caktuar me çmim prej 33 denarë për bukë, me peshë prej 450 gram e më shumë, ndërsa me peshë më të vogël se 450 gram, deri në 33 denarë për bukë, gjegjësisht një çmim që do të jetë në proporcion me peshën e bukës.
Çmimet më të larta të produkteve të përcaktuara në këtë mënyrë, me këtë Vendim, parashikohen të zbatohen deri më 31 maj 2023.
Në sqarimin e Ministrisë së Ekonomisë, bëhet me dije se prodhuesit e produkteve të bukës në pjesën më të madhe prej tre muajsh janë shfrytëzues të energjisë elektrike të subvencionuar dhe ulja e çmimit të bukës së bardhë nuk është në nivelin e duhur, prandaj është vlerësuar se duhet të ketë kufizime të çmimeve ne llojet e theksuara të bukës.
Qeveria miratoi edhe Vendim për ndërprerjen e vendimit për marrjen e masës në kushte të gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike.
Me këtë vendim pushon të vlejë Vendimi për marrjen e masës në kushte të krizës në furnizimin me energji elektrike (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 232/22 dhe 247/22). Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 30 tetor të vitit 2022 dhe u ka mundësuar konsumatorëve të caktuar të energjisë elektrike, personave fizikë dhe juridikë, nga industria ushqimore, në kushtet e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike, të mund të lidhin kontrata për furnizim me energji elektrike me EMV Shitje SHPKNJP, Shkup me çmim prej 80 euro/MWh, me qëllim të mbrojtjes së standardit jetësor.
Pas kontrolleve të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, sipas informacioneve të Ministrisë së Ekonomisë, konsumatorët edhe pse kanë marrë energji elektrike të subvencionuar, nuk kanë ulur çmimet e produkteve të tyre, ose i kanë ulur ato në mënyrë të parëndësishme, edhe pse përveç kësaj, çmimet në bursat e energjisë elektrike në rajon patën një lloj rënieje.
Vendimi i sotëm i Qeverisë për ndërprerjen e vlefshmërisë së Vendimit për marrjen e masës në gjendje të krizës në furnizimin me energji elektrike, hyn në fuqi ditën e shpalljes në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Qeveria në këtë mbledhje ka shqyrtuar dhe miratuar Informacionin për rihapjen e pozitave korrespondente të Shoqërisë Aksionare “Agjencia Informative Mediatike” – Shkup dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me bashkëpunëtorë në disa qytete. Qeveria ngarkoi Shërbimin për Çështjet e Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, në koordinim me Ministrinë e Financave, me rebalancin e Buxhetit gjatë vitit 2023, të sigurojë fonde për funksionimin normal të vendeve korrespondente.
Me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria ka marrë disa vendime.
Qeveria solli vendim për realizimin e aktivitetit stërvitor “CMX 23” në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që përfaqëson aktivitete stërvitore të NATO-s për menaxhimin e krizave.
Qëllimi i kësaj stërvitje të NATO-s, sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, është testimi i elementeve të sistemit të NATO-S për reagimi ndaj krizave me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e kapaciteteve kombëtare dhe të Aleancës së NATO-s në të gjithë spektrin e operacioneve të drejtuara nga NATO.
Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacion për hyrjen dhe qëndrimin e forcave të armatosura të huaja në territorin e vendit me qëllim të kryerjes së "stërvitjes në mbështetje të afërt ajrore me një avion (Helikopter UH-60) të forcave të armatosura të SHBA-së nga misioni "KFOR" - Kosovë dhe vendim për qëndrimin e forcave të armatosura të huaja për të marrë pjesë në stërvitjen e mbështetjes së ngushtë ajrore me avionë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në terrenin ushtarak “Krivollak”.
Gjithashtu u miratua edhe Vendim për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë për të marrë pjesë në stërvitjen "CMX 23 (Crisis Management Exercise)" në Mbretërinë e Belgjikës.
Mbledhja e sotme e Qeverisë është e para me katër ministrat e rinj në Qeveri: i Drejtësisë, Krenar Lloga; Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu dhe e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova.
Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, ministrave të rinj u uroi punë të suksesshme dhe shprehu pritshmëri për përballje të suksesshme me sfidat në resorët e tyre.