Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme miratoi Programin për plotësimin e Programit për zbatimin e fondit intervenues për bujqësi për vitin 2023, me qëllim të mbështetjes financiare për prodhuesit e grurit dhe elbit, si dhe kultivuesit e domateve dhe trangujve.
Programit i janë shtuar edhe tri nënmasa të reja, të cilat sigurojnë: mbështetje financiare prej 3 denarë për kilogram për prodhimin e grurit të realizuar dhe të shitur ose të ruajtur në depo; mbështetje financiare për materialin faror të certifikuar të prodhimit vendor të gjeneratës së parë dhe të dytë të grurit dhe elbit prej 3 denarë për kilogram - për grurin ose elbin e prodhuar të gjeneratës së parë dhe të dytë për korrjen e vitit 2023, si dhe mbështetje financiare për sasitë e shitura të domates dhe trangujve të prodhuar në kushte të kontrolluara - nga 35 denarë për kilogram domate që është prodhuar dhe shitur në periudhën prej 5 prill deri më 31 maj 2023 dhe 30 denarë për kilogram tranguj që është prodhuar dhe shitur në periudhën nga 5 prill deri më 15 maj 2023.
Qeveria shqyrtoi dhe miratoi Informatën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për formimin e Grupit të Punës për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit më të ulët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe pakon e masave për ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve dhe e miratoi Vendimin për formimin e Grupit të Punës.
Grupi i punuës për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit më të ulët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe pakon e masave për ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve, është i ngarkuar t’i dorëzojë Qeverisë një propozim të përshtatshëm dhe financiarisht të qëndrueshëm për pensionin më të ulët dhe një propozim për masat në ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, miratoi Vendim për themelimin e Konviktit Shtetëror të Studentëve “Tetova” në Tetovë.
Kapaciteti i konviktit do të jetë 300 shtretër. Dhe, kuadri i nevojshëm, pajisjet dhe kushtet e tjera për punën e Konviktit Shtetëror të Studentëve “Tetova” në Tetovë janë paraparë në përputhje me normat dhe standardet për pajisje, hapësirë dhe kuadro për konviktet e studentëve.
Qëllimi i themelimit të konviktit studentor në Tetovë, sipas arsyetimit të ministrisë dikasteriale, është përmbushja e interesave dhe nevojave për banim të studentëve të cilët studiojnë jashtë vendbanimit të tyre.
Në mbledhje, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin e Ministrisë së Kulturës për realizimin e ekspozitës ndërkombëtare “105 vjet Trebenishte” në Institutin Nacional Arkeologjik me Muze pranë ABSH në Sofje.
Institucioni Nacional Muzeu Arkeologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Institutin Nacional Arkeologjik me Muzeun në Sofje, Republikën e Bullgarisë dhe Muzeun Kombëtar të Serbisë në Beograd, organizuan ekspozitën ndërkombëtare me titull "100 vjet Trebenishte", e cila u mbajt në Shkup nga shkurti deri në gusht 2019, pas së cilëlës u ra dakord që bashkëpunimi të vazhdojë në kuadër të këtij projekti.
Trebenishtja, siç tregohet në sqarimin e ministrisë dikasteriale, është shembulli i parë dhe ndoshta i vetmi i një lokacioni që është hetuar nga tre shtete, i promovuar përmes tre muzeve, nga Shkupi, Beogradi dhe Sofja, ndërsa ekspozita përmban objekte që lidhen me jetën në bregun e liqenit të Ohrit nga shekulli VI deri në shekullin e IV para erës sonë dhe që tregojnë kronologjinë e hulumtimeve të deritanishme të nekropolit të Trebenishtit.