U miratua Strategjia Zhvillimore Sektoriale për Drejtësinë 2024 - 2028, në drejtim të rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë; U përcaktua teksti i Propozimit të Strategjisë Nacionale për Zhvillimin e Kulturës deri në vitin 2027 për avancimin e mëtejshëm të statusit të një pjesëmarrësi të njohur në kulturën rajonale, evropiane dhe botërore
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi vendim për ndryshimin e Vendimit për kushte të veçanta për tregtim të mallrave të caktuara, përcaktim të çmimeve më të larta për produkte të caktuara në tregtinë me pakicë, si dhe obligimin e tregtarëve për blerjen dhe shitjen e llojeve dhe sasive të mallrave të caktuara për konsumatorët sipas porosisë së caktuar.
Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë, të miratuar me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, kufizimi i çmimeve të disa produkteve në tregtinë me pakicë, i cili ishte i vlefshëm deri më 31 dhjetor, zgjatet deri më 31 janar.
Bëhet fjalë për oriz të bardhë, miell gruri - tip 400 dhe 500, bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë dhe produkte të caktuara të bukës, lloje të caktuara biskotash, vaferë, makarona, mish dhe produkte të mishit, kos dhe produkte të qumështit dhe vezë të freskëta pule.
Vendimi i sotëm i Qeverisë është në interes të konsumatorëve, për shkak të festave të ardhshme të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, miratoi Vendim për ndryshimin e Vendimit për përcaktimin e çmimeve më të larta për produktet individuale në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Me këtë vendim të Qeverisë, deri më 31 janar, në vend të 31 dhjetorit, mbeten të ngrira çmimet e përcaktuara më parë të ujit mineral të pagazuar dhe të gazuar, llojeve të caktuara të pijeve të gazuara dhe të pagazuara dhe birrës – edhe në interes të konsumatorëve, për shkak të festave të ardhshme të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.
Qeveria në mbledhjen e sotme e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi (2024-2028) me Plan Veprimi dhe miratoi Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi (2024-2028) me Plan Veprimi.
Strategjia Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi 2024 - 2028, sipas propozuesit, Ministrisë së Drejtësisë, është një dokument strategjik, i cili miratohet me qëllim të përcaktimit, planifikimit dhe zbatimit të politikave për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të parë gjyqësor.
Gjatë hartimit përfundimtar të tij janë marrë parasysh mendimet e ekspertëve, si dhe mendimi i Komisionit Evropian.
Krahas çështjeve që lidhen ngushtë me gjyqësorin, Strategjia, siç shpjegohet, parashikon një sërë masash në fusha të tjera të lidhura, të cilat janë të rëndësishme për kryerjen e funksioneve të sistemit të drejtësisë dhe realizimin efikas të të drejtave të personave fizikë dhe juridikë para organeve gjyqësore.
Strategjia fokusohet në pesë fusha kryesore prioritare: gjyqësorin dhe prokurorinë publike, kapacitetet e institucioneve të veçanta të sistemit të drejtësisë, profesionet individuale dhe shërbimet publike, Gjykata Kushtetuese dhe fushat specifike ligjore (çështjet penale dhe civile), të cilat janë relevante për funksionimin e gjyqësorit.
Qeveria e shqyrtoi dhe e përcaktoi tekstin e Propozimit – Strategjinë Nacionale për Zhvillimin e Kulturës, me Plan të veprimit për periudhën 2023-2027 dhe mori vendim që t’ia dorëzojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për miratim.
Propozim - Strategjia Nacionale për Zhvillimin e Kulturës me Plan veprimi 2023-2027, sipas propozuesit Ministria e Kulturës, është dokument strategjik me të cilin përcaktohen qëllimet dhe prioritetet afatmesme për zhvillimin e kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe është një dokument strategjik bazë për fushën e kulturës, si për punën e Ministrisë së Kulturës, ashtu edhe për subjektet e tjera që veprojnë në fushën e kulturës.
Në dokument konstatohet përshtypja dominuese se kultura institucionale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në krahasim me të kaluarën, është më e hapur, më konkurruese dhe e orientuar që të bëhet pjesëmarrëse akive dhe e njohur në kulturën rajonale, evropiane dhe botërore dhe në këtë drejtim janë përcaktuar prioritetet e propozuara në dokument deri në vitin 2027.