Qeveria dhe kompania e telekomunikacionit „4iG” nënshkruan një Memorandum për mirëkuptim

Qeveria dhe Grupacioni „4iG", një nga kompanitë lidere të TIK-ut në Hungari dhe në Ballkanin Perëndimor, nënshkruan sot në Shkup një Memorandum mirëkuptimi për të përshpejtuar transformimin digjital në Maqedoni në aspektin ekonomik dhe atë të infrastrukturës.

Memorandumi, i cili paraqet bazë për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet Qeverisë dhe Grupacionit „4iG", thekson mundësitë që Grupacioni „4iG" të hyjë në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni dhe të identifikojë fushat strategjike për zhvillimin e ardhshëm të shërbimeve të telekomunikacionit dhe infrastrukturës në vend.

Memorandumin e mirëkuptimit e nënshkruan zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit Aleksandar Nikolloski dhe kryetari i Grupacionit „4iG" Gelert Zhazai.

Dokumenti, i cili vendos themelet për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy palëve, thekson mundësitë e Grupacionit "4iG" për të hyrë në tregun e telekomunikacionit në Maqedoni dhe përcakton qëllimet e përbashkëta për bashkëpunimin e ardhshëm edhe atë:

- Përmirësimi i përvojës së klientëve përmes vendosjes së teknologjive më bashkëkohore celulare dhe brezgjerë për të siguruar shërbime komunikimi dhe interneti më të shpejtë dhe më të sigurtë.

- Zbatim i investimeve në teknologjitë më të mira të bazuara në 5G, IoT dhe inteligjencë artificiale për zhvillimin e ekosistemit digjital në Maqedoni, duke pasur parasysh përkushtimin e Qeverisë për iniciativën „Rrjet i pastër".

- Hapja e vendeve të reja dhe cilësore të punës nëpërmjet krijimit të zyrave rajonale dhe qendrave operacionale që do të synojnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë.

- Minimizimi i ndikimit në mjedisin jetësor dhe mbështetja e nismave të gjelbra, stimulimi i inovacioneve, zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrjes në partneritet me subjektet ekonomike vendase.

Memorandumi për mirëkuptim i nënshkruar ndërmjet Qeverisë dhe Grupacionit "4iG" është plotësisht në përputhje me "Planin për Qëndrueshmëri të Maqedonisë 2030" dhe përkushtimin e shtetit në programin „Rrjet i pastër".

Në periudhën që vijon të dyja palët do të formojnë një grup punë të përbashkët për nxitjen e bashkëpunimit, me qëllim analizimin e mundësive të tregut dhe përshpejtimin e bashkëpunimit.

Si pronar i operatorit „ONE Mali i Zi dhe ONE Albania", Grupacioni „4iG" është një nga operatorët udhëheqës të telekomunikacionit dhe TI në Ballkanin Perëndimor, duke i shërbyer pothuajse 2.2 milionë përdorues dhe 400 mijë klientë afarist në këto dy vende.

Me veprimtarinë e tij, grupacioni vazhdon të zgjerojë shërbimet, ekspertizën dhe portofolin e tij për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e ndryshueshme të tregjeve të telekomunikacionit dhe TI. Grupacioni punëson mbi 8.000 njerëz.

Grupacioni „4iG" është kompani lidere në telekomunikacion në Hungari dhe Ballkanin Perëndimor dhe një nga kompanitë lidere në fushën e dijes dhe ekonomisë digjitale. Qasja inovative e Grupacionit dhe pozicioni i tij si një integrues kryesor hungarez i sistemeve të telekomunikacionit dhe TI e bën kompaninë lider në ofrimin e shërbimeve në fushën e transformimit digjital në rajon.