Zaev për “Euronjuz Albania”: Bashkëpunimi rajonal është proces i kompatibil me integrimet e tërë rajonit ë BE dhe prandaj meriton nxitje më të madhe

Në intervistën për “Euronjuz Albania”, Kryeministri Zoran Zaev u fokusua në procesin e integrimeve të rajonit në BE duke theksuar se si politikan dhe si njeri fuqishëm beson në bashkëpunimin rajonal si proces kompatibil i integrimeve të gjithë rajonit në BE.

“Sa më tepër e avancojmë bashkëpunimin rajonal, aq më shumë Evropa do të na respektojë. E pakta që mund të bëjmë është të bashkohemi në pjesën e qasjes së përbashkët, lirimin e kufijve për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, të tregtisë në kapital, informacioneve. Me të vërtetë kemi se çka ti ofrojmë Evropës, por edhe të pranojmë nga ajo. Prandaj me Kryeministrin e Shqipërisë, me Presidentin e Serbisë, i përpunojmë opsionet për atë që disa e quajnë “Mini Shengen”, ndërsa disa e quajnë bashkëpunim i rritur rajonal. Kjo është kompatibile me procesin e integrimit tonë në BE, sepse i gjithë rajoni përforcohet ekonomikisht dhe në këtë mënyrë më lehtë do të integrohemi në BE”, thekson Kryeministri Zaev në intervistë.

Ai theksoi se të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e CEFTA dhe se jo vetëm që duhet ta avancojmë atë që e kemi arritur bashkërisht, por edhe të shkojmë hap para dhe t’i tregojmë Evropës se bashkë me ndihmën e saj, ne mund të bëjmë më shumë.

"Ne po humbasim vite, dekada dhe kjo është arsyeja pse unë them se është e mundur të gjenden zgjidhje për shumë çështje në rajon përmes dialogut. Isha gati të largohesha nga politika duke zgjidhur çështjen e emrit që kishim me Greqinë, por në fund të fundit qytetarët që kishin emocione serioze me arsye dhe ishin të rezervuar, kritikë, prapë votuan për të ardhmen. Unë fitova zgjedhjet demokratike që pasuan, sepse të gjithë duam të lëmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Po, ne duhet ta respektojmë të kaluarën, por duhet të jetë bazë për të tashmen dhe të ardhmen. Ne si Maqedoni e Veriut do të mbështesim çdo zgjidhje të dakorduar nga udhëheqësit dhe e cila garanton paqen, perspektivat evropiane, pranimin e ndërsjellë, ndihmën, mirëkuptimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë ose në një vend tjetër. Është shumë e rëndësishme dhe ne do të mbështesim atë për të cilën ata bien dakord, sepse ata po e bëjnë këtë për të ardhmen e tyre evropiane", tha Kryeministri Zaev.

Lidhur me përpjekjet për menaxhim të përbashkët të kontrolleve kufitare dhe doganore dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave me vendet fqinje, Kryeministri tha: "Bashkëpunimi rajonal mund të ndihmojë dialogun në përgjithësi. Pas hapjes së "One stop shop" me Serbinë, tani në Tiranë do të nënshkruajmë Marrëveshje për kontrollin e përbashkët të kufirit me Shqipërinë, ndërsa e ardhshmja është Kosova. Në fund, qëllimi është të kesh "No stop, just go ". Duam të rrisim besimin e ndërsjellë të institucioneve të sigurisë, institucioneve ushqimore, për të siguruar njohjen e diplomave dhe të ngjashme. Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për qytetarët", tha Kryeministri Zaev në intervistën për “Euronjuz Albania”.