Andonovski: Me ligj ndalojmë lojërat e paligjshme të fatit online

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në emisionin “Studio 10” në Televizionin 24, foli për ndryshimet e reja në Ligjin për Komunikime Elektronike, ku parashikohet ndalimi i lojërave të paligjshme të fatit online.
"Në ligjin për komunikime elektronike kemi paraparë një ndryshim, ku me ligj ndalojmë lojërat e paligjshme të fatit online ose kazinotë online. Në Maqedoni, asnjë institucion privat nuk ka licencë për organizimin e lojërave të fatit online, ndërsa qytetarët e dinë se ka shumë të tilla që operojnë. Janë identifikuar rreth 160 ofrues që janë të pranishëm në tregun maqedonas, por nuk kanë licencë për të organizuar lojëra të fatit online," deklaroi Andonovski.
Ministri theksoi gjithashtu se Ministria e Transformimit Digjital ka punuar në ndryshimet ligjore në koordinim me institucionet e tjera përkatëse, duke pasur kujdes që të mos ndërhyjnë në kompetencat e njëra-tjetrës.
"I kemi njoftuar organizatorët globalë të lojërave të fatit, të cilët asnjëherë nuk kanë aplikuar për licencë në Maqedoni, se aktiviteti i tyre bie në kundërshtim me ligjin dhe paralelisht, kemi punuar në ndryshimet ligjore duke u siguruar që të mos ndërhyjmë në kompetencat e Ministrisë së Financave, Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Lotarisë shtetërore. Së bashku me ta, kemi arritur një zgjidhje ligjore që është miratuar nga Qeveria dhe pas shtatë ditësh, ka hyrë në procedurë parlamentare. Pres që të kalojë në Komisionin për Transformimin Digjital," shtoi ministri Andonovski.
Kjo është një nga mënyrat për të parandaluar qasjen e të rinjve në lojërat e paligjshme të fatit online dhe për të mbrojtur të dhënat e tyre personale nga keqpërdorimi.
"Bëhet fjalë për ndryshime ligjore që nuk kanë natyrë politike dhe shpresoj që të gjithë deputetët, pavarësisht nga partia e tyre politike, do t'i mbështesin. Kjo është me të vërtetë një mënyrë për të parandaluar që adoleshentët tanë të luajnë lojëra të fatit online dhe të ndajnë të dhënat e tyre personale në internet, pa e ditur se ku përfundojnë ato," përfundoi Andonovski.