Në mbledhjen e sotme të 17-të Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për pakon e re të masave restriktive të BE-së lidhur me situatën në Ukrainë, me rekomandim që Maqedonia e Veriut t'i bashkohet të gjitha vendimeve të BE-së për këtë lloj masash restriktive.
Në lidhje me këtë pikë, Qeveria e obligoi Ministrinë e Punëve të Jashtme që përmes misionit të Përhershëm të BE-së në Bruksel të njoftojë se Maqedonia e Veriut po i bashkohet pakos së re të masave restriktive të Këshillit të BE-së, së bashku me të gjitha vendimet e mëparshme për masat restrikive nga viti 2014 e deri më tani duke pasur parasysh situatën në Ukrainë, dhe për të filluar procedurën për zbatimin e tyre.
Në këtë fazë, masat restriktive të targetuara të BE-së, të cilave u është bashkuar edhe vendi ynë, përfshijnë masa të targetuara për një numër të caktuar politikanësh dhe biznesmenësh që kanë luajtur një rol në situatën e krijuar në Ukrainë dhe atyre u ndalohet të udhëtojnë nëpër vendet e BE-së, si dhe ndalimi i qasjes në fondet financiare të Unionit.
Masat e targetuara i referohen edhe restrikcioneve në punën e disa bankave të Federatës Ruse me institucionet financiare të BE-së dhe shteteve anëtare të saj.
Në këtë mbledhje Qeveria shqyrtoi edhe Informacionin për nevojën për strehim të shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe familjarëve të tyre pas evakuimit të tyre nga Ukraina.
Qeveria e ka obliguar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbledhë kërkesat e të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarëve të familjeve të tyre që ndodhen në rajonet e krizës në Ukrainë dhe të cilët do të kërkojnë mbrojtje dhe akomodim të përkohshëm, por nuk kanë akomodim të tyre në Maqedoninë e Veriut, në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për të siguruar akomodim në lokacione të përshtatshme në vend.