Zëvendëskryeministri Nikolloski në video-bisedë me Oleksi Kuleba, zëvendëskryetarin e Qeverisë së Ukrainës, nënshkruhet marrëveshja për liberalizimin e transportit bilateral dhe tranzitit të mallrave

Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, zhvilloi një video-konferencë me Oleksi Kuleba, zëvendëskryetarin e Kabinetit të ministrave të Ukrainës.
Dy zëvendëskryeministrat, në emër të qeverive të të dyja vendeve, nënshkruan Protokollin për ndryshimin e Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Ukrainës për transportin ndërkombëtar rrugor të pasagjerëve dhe mallrave.
Me ndryshimet e Marrëveshjes, parashihet që të dyja vendet të zbatojnë liberalizimin e transportit bilateral dhe tranzitit në transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave, pra ai të zhvillohet pa leje.
Për më tepër, transportuesit nga të dyja vendet do të mund të kryejnë transport për/nga vendet e treta bazuar në lejet që Maqedonia dhe Ukraina i shkëmbejnë mbi baza reciproke çdo vit.
Sa i përket transportit bilateral dhe tranzitit me standard Euro 2, ai do të vazhdojë të realizohet në përputhje me lejet e shkëmbyera po ashtu në baza vjetore.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të përmirësuar dhe zhvilluar edhe transportin e pasagjerëve.
Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se këto ndryshime janë në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes Maqedonisë dhe Ukrainës, kryesisht për të rritur bashkëpunimin ekonomik si dhe për të reduktuar pengesat administrative në transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Nikolloski nënvizoi mbështetjen e fortë të Qeverisë dhe popullit maqedonas për Ukrainën dhe popullin ukrainas, duke theksuar gatishmërinë për ofrimin e ndihmës së vazhdueshme.
Gjatë bisedës, të dy zëvendëskryeministrat konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, me angazhimin për t'i thelluar ato në një kohë kur Ukrainën e pret një periudhë rimëkëmbjeje nga konflikti ushtarak.
Në përfundim të fjalimit të tij, zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se Maqedonia, si vend anëtar i NATO-s, është një partner i barabartë në proceset euroatlantike, duke dhënë kështu një kontribut të fortë për sigurinë dhe paqen globale.