Ministri Perinski në Gazi Babë: Po ecim drejt zhvillimit të barabartë të pjesëve urbane dhe rurale të komunës

Ministri i Vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, së bashku me zv/ministrin e tij, Erxhan Selimi, vizituan sot Komunën e Gazi Babës, në suaza të vizitave në terren nëpër komuna "Ku zemra është në shtëpi". Gjatë bisedës me kryetarin e komunës, Boban Stefkoski dhe anëtarët e Këshillit Komunal, ata diskutuan për ndryshimet aktuale në Ligjin për Pushtetin Lokal, pjesëmarrjen e Komunës në thirrjen e dytë publike për mbështetje financiare për projekte infrastrukturore, si dhe për sfidat dhe nevojat me të cilat përballet komuna, të bazuara në kërkesat e qytetarëve.

Ministri Perinski shprehu kënaqësinë për përpjekjet e kryetarit Stefkoski për përmirësimin dhe zhvillimin e të gjitha pjesëve të Komunës së Gazi Babës.

“Kjo është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se komuna ka një pjesë të konsiderueshme rurale dhe integrimi i pjesës urbane dhe rurale është kyç për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë. Fokusimi ynë si Qeveri është mbështetja për ndërtimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve publike, me qëllim zhvillimin e tërë komunës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për zona urbane apo rurale. Po vazhdojmë të punojmë për një zhvillim që do të përfshijë dhe përmirësojë të gjitha pjesët e komunës”, tha Perinski.

Në takim u diskutua edhe për mundësinë e ndryshimeve të Ligjit për Qytetin e Shkupit, nëse ndryshimet në Ligjin për Pushtetin Lokal parashikojnë një mekanizëm që do të garantojë zbatimin e vendimeve të Këshillit nga ana e kryetarit, ndërsa këshilltarët propozuan që të bëhen ndryshime edhe në kriteret për indeksin e shkallës së zhvillimit të komunave. Ndërsa ministri i informoi të pranishmit për programet e Ministrisë që ofrojnë mbështetje për komunat, përveç thirrjes publike për projekte infrastrukturore.

Kryetari Stefkoski shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin deri tani me Ministrinë dhe përshëndeti iniciativën për vizitat në terren nëpër komuna, duke informuar se Komuna tashmë ka aplikuar me 12 projekte në thirrjen e dytë publike për mbështetje financiare për projekte infrastrukturore.

“Mendoj se mbështetja është veçanërisht e rëndësishme për zhvillimin e shpejtë të komunave, me theks të veçantë në zhvillimin rajonal të barabartë, sepse përmes saj do të zgjidhen problemet dekadëshe me të cilat përballen komunat, sidomos me karakteristikat e veçanta që ka Komuna e Gazi Babës, ku pjesa më e madhe e territorit të saj është zonë rurale. Jam i bindur se përmes këtij projekti do të zgjidhim të gjitha ato probleme që kanë qytetarët, të cilat lidhen me infrastrukturën komunale dhe rrugore”, theksoi Stefkoski.

Nesër, në kuadër të "Ku zemra është në shtëpi", ministri Perinski do të mbajë një takim me përfaqësues të sektorit të biznesit dhe organizatave joqeveritare, punonjës të kulturës dhe sportit. Janë të ftuar gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë pyetje, propozime dhe sugjerime për përparimin e mëtejshëm të Komunës. Takimi do të mbahet në orën 12:30 në shkollën fillore "Dane Krapçev".