Koordinatori nacional për komunikime strategjike në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Marjan Zabërçanec, mori pjesë në Konferencën rajonale kushtuar transparencës së institucioneve ekzekutive në rajon, që u mbajt në Podgoricë dhe përmes video-lidhjes.
Për ruajtjen e principeve të transparencës dhe llogaridhënies të pushtetit ekzekutiv folën edhe përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe organizatave joqeveritare nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Sipas matjeve dhe kritereve të deritanishme të transparencës, si më e hapur sipas nivelit të transparencës në rajon është renditur Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila plotëson 83,4% të kritereve.
Koordinatori nacional për komunikime strategjike në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Marjan Zabërçanec, foli në korniza të panelit “Transparenca e pushtetit ekzekutiv në Ballkanin Perëndimor dhe Mal të Zi”.
"Ne jemi krenar që jemi përsëri në vendin e parë për sa i përket transparencës në rajon. Të jesh në vendin e fundit në vitin 2016, të arrish vendin e parë dhe të mbash vendin e parë për tre vjet rresht, do të thotë vullnet, vendosmëri, punë e përkushtuar dhe përgjegjësi.
Kjo Qeveri ka treguar një nivel të lartë të vullnetit politik për hapjen e institucioneve. Ne po vendosim rregulla dhe standarde në mënyrë që transparenca të mos varet më nga vullneti politik dhe kush është në pushtet, por ta bëjmë atë një praktikë të vendosur që është e detyrueshme për çdo institucion. Me krijimin dhe miratimin e Strategjisë, Qeveria ka treguar një qëllim serioz për të instaluar transparencën si një zgjidhje sistematike në të gjitha institucionet", tha Zabërçanec.
Ai gjithashtu vuri në dukje mjetet për të siguruar transparencën e Qeverisë edhe gjatë krizës me KOVID-19 kur u hapën ueb-faqe me edukim mbi masat mbrojtëse, statistikat ditore, si dhe mbi furnizimet publike lidhur me pandeminë.
"Në kohën e KOVID-19 ne kemi përmirësuar komunikimin digjital, dhe madje edhe pas përfundimit të pandemisë ne do të vazhdojmë t'i përdorim këto mjete. Ne jemi Qeveria e parë në rajon, dhe ndoshta në Evropë, që realizoi konferenca për shtyp përmes video-lidhjeve në internet, në të cilat të gjithë gazetarët e regjistruar dhe të akredituar mund të marrin pjesë dhe të bëjnë pyetje drejtpërdrejt. Në këtë mënyrë, ne u mundësuam gazetarëve nga mediat prej brenda të komunikojnë drejtpërdrejt me Qeverinë ”, theksoi Zabërçanec.
Koordinatori nacional për komunikime strategjik, Zabërçanec potencoi se qeverisje me përgjegjësi do të thotë përparim i vazhdueshëm i transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve dhe me këtë te qeveritë demokratike nuk guxon të ketë kompromis.
“Ruajtja e principit të transparencës është çështje e përgjegjësisë së Qeverisë. Nëse dëshironi pushtet me çdo kusht – do t’i fshihni informacionet, por nëse dëshironi të punoni në drejtim të avancimit të vendit tuaj, do të jeni transparent”, tha Zabërçanec.