Shëndetësi cilësore
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të synojë ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm afatgjatë dhe financiar, cilësor dhe qasës të mbrojtjes shëndetësore, me qytetarët në qendër të sistemit shëndetësor dhe një ndjenjë dhe përgjegjësi të përforcuar të individit për shëndetin e tij dhe për shëndetin e të tjerëve.
Puna e zmadhuar administrative e punonjësve të shëndetësisë do të zvogëlohet, ndërsa kujdesi për pacientët do të vihet në qendër të vëmendjes. Qeveria do të propozojë heqjen e participimit për mjekim spitalor. Sistemi shëndetësor në Maqedoni do të ndërlidhet në një sistem të integruar informativ dhe do të themelohet një rrjet i institucioneve shëndetësore me përfshirje të plotë të ambulancave, veçanërisht në mjediset suburbane dhe rurale.
Për të parandaluar largimin e personelit mjekësor nga shëndetësia publike, Qeveria do të sigurojë kushte normale për punën e tyre dhe paga më të larta. Me paga më të larta, mundësi më të mëdha për specializim dhe me përmirësimin e kushteve për praktikë mjekësore do të krijojmë një atmosferë në të cilën shumica e mjekëve do të kenë dëshirë për të qëndruar në Maqedoni.
Organizim i mirë i veprimtarisë shëndetësore është ai që i jep përparësi mbrojtjes shëndetësore parandaluese dhe primare. Në mbrojtjen shëndetësore parandaluese Qeveria do të angazhohet dhe do të kontribuojë për: ruajtjen dhe avancimin e shëndetit në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, e veçanërisht të grupeve të lëndueshme(fëmijë, shtatzëna, persona të moshuar, të sëmur kronik dhe persona me nevoja të veçanta);edukimin shëndetësor të fëmijëve në shkolla për të përvetësuar stilet e shëndetshme për jetesë(ushqim përkatës, aktivitet fizik, parandalim të varësisë nga duhani, alkooli dhe substancat psikoaktive, parandalim të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, HIV/SIDA dhe probleme në lidhje me shëndetin mental); debat të gjerë ekspertësh mbi nevojat dhe përfitimet nga vaksinimi, bashkë me furnizimin e vaksinave me cilësi të lartë. Cilësia e jo çmimi do të jenë kriteri kyç; përforcimin e kontrollit të sëmundjeve aktuale ngjitëse që janë me rëndësi për shëndetin e popullatës; masa dhe aktivitete për zvogëlimin e morbiditetit, paaftësisë dhe mortalitetit të parakohshëm të shkaktuara nga sëmundjet më të shpeshta jongjitëse (sëmundjet cerebro-vaskulare, sëmundjet malinje dhe sëmundja e diabetit), nëpërmjet avancimit të shëndetit me aktivitete të organizuara nga qeveria, institucionet shëndetësore, organizatat joqeveritare dhe shoqatat civile; përforcimin e kapaciteteve të mbrojtjes shëndetësore stomatologjike në sistem; realisht e jo vetëm në letër, zbatimi i programeve për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, për diagnostifikimin e tyre në fazën fillestare.
Në mbrojtjen shëndetësore primare, Qeveria do të punojë në përmbushjen e këtyre qëllimeve dhe politikave: sigurim i gjinekologut amë për çdo grua në Maqedoni; pacientët amë do të regjistrohen në ordinanca, duke përcaktuar numrin maksimal të pacientëve të regjistruar për një mjek dhe pagën e përcaktuar dhe të garantuar minimale për çdo mjek plotësues; rritje të pikëve të kapitacionit të mjekëve amë në 90 denarë; vendosje të hartës mjekësore të të gjitha institucioneve ekzistuese shëndetësore në Maqedoni dhe liberalizim të rrjetit, përkatësisht heqjen e së drejtës të ministrit që të jep leje për hapje dhe të Fondit për të marrë vendime nëse do të nënshkruaj marrëveshje me një ordinancë e cila i ka përmbushur kushtet e punës në pajtim me kriteret që do të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë; formim të një Fondi për financimin e mjekimit jashtë vendit të fëmijëve deri në moshën 18 vjet i cili do të duhet që urgjentisht t'i merr vendimet e domosdoshme pa presione politike dhe të ministrit. Kështu mjekimi i fëmijëve në Maqedoni nuk do të varet nga humanizmi i qytetarëve të saj.
Në kuadër të politikës shëndetësore, Qeveria do të themelojë institucion të ri dhe të pavarur publik shëndetësor të ndihmës urgjente mjekësore, i cili do t'i bashkojë të gjitha shërbimet e ndihmës urgjente mjekësore dhe do të lidh të gjitha spitaleve në Republikën e Maqedonisë.
Qeveria menjëherë do t'i fillojë përgatitjet për vendosjen e mjekimit falas spitalor për të gjithë personat e siguruar shëndetësor. Gjithashtu, do të fillojë edhe një proces gradual i rritjes së pagës bazë të të gjithë punëtorëve të shëndetësisë. Pagat themelore të të gjithë punëtorëve shëndetësor do të dyfishohen deri në fund të mandatit. Deri në vitin 2020 pagat e mjekëve specialist në shëndetësinë terciare gradualisht do të shënojë rritje dhe do të arrijnë një minimum prej 100.000 denarë, përkatësisht 1.600 euro. „Termini im“ do të zëvendësohet me një sistem i cili do të garantojë mbrojtje shëndetësore cilësore dhe të shpejtë në çdo nivel, me afate dhe obligime saktë të përcaktuara. Sistemi i ri në mënyrë drastike do të reduktojë kohën për obligimet administrative të mjekëve.
Në pjesën e kapaciteteve, Qeveria do të punojë në vënien në funksion të qendrës për trajtimin e thembrës diabetike në kuadër të Spitalit të përgjithshëm të qytetit „8shtatori“; në hapjen e Spitalit të përgjithshëm të fëmijëve në Shkup me Qendër emergjente; në hapjen e qendrës për diagnostifikim në kohë dhe trajtim të sëmundjeve seksualisht të transmetuara me një personel multidisiplinar, me qëllim që të zvogëlohen komplikimet siç janë steriliteti dhe sëmundjet malinje; në fillimin e rikonstruksionit dhe furnizimit (duke përfshirë edhe kuadrin e domosdoshëm) të spitaleve të përgjithshme dhe klinike në Maqedoni, si dhe shtëpitë përkatëse shëndetësore, poliklinikat dhe ambulancat (Negotinë, Çashkë, Rankovce, Haraçinë, Draçevë, Lisiçe, Çair dhe Novaci).
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të sigurojë ndërtimin e një Qendre universitare klinike të re, bashkëkohore dhe funksionale në Shkup, e cila do të garantojë shërbime cilësore shëndetësore të popullatës në të gjithë shtetin dhe do ta kthejë konceptin e Qendrës universitare klinike të vetme ku klinikat do të lidhen në mënyrë funksionale.
Për të zmadhuar numrin e specialistëve në shëndetësinë shtetërore, do të vendoset specializim për 10 studentët më të mirë të çdo gjenerate dhe do të zmadhohen kuotat e specializimeve shtetërore. Do t'u japim përparësi specializimeve deficitare sipas nevojave të institucioneve shëndetësore dhe sipas rajoneve. Gjatë specializimit, specializantëve privat do t'u sigurohen paga dhe kontribute në lartësi të pagës së garantuar minimale për një mjek të përgjithshëm.
Në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e prindërve për fëmijë me sëmundje të ralla dhe nevoja të veçanta, Qeveria do të propozojë rregullativa të reja ligjore me të cilat do të mundësojë që kujdesi për këtë kategori të ndjeshme të jetë gjithëpërfshirës dhe më i sigurt.
Në pjesën e stomatologjisë, Qeveria do të iniciojë rritjen e kapitacionit për një pacient për stomatologët amë dhe pako themelore falas stomatologjike për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare.
Qeveria do të punojë për të kapërcyer situatën e mungesës së barnave me recetë pas datës 15 të muajit dhe rritjen e rezervave dhe aksesit të barnave. Do të krijohet një sistem për të pamundësuar keqpërdorimin e recetave të dhëna dhe shpenzimin fiktiv të kuotave mujore për furnizim të barnave. Furnizimi në kohë i insulinës për të sëmurit me diabet në nivel vjetor do të parandalojë transferimin e pacientëve nga insulina analoge në atë human. Lista e barnave të mbuluara nga FSShM do të rishikohet një herë në vit, me vendosjen e barnave të reja në listë dhe me përfaqësimin e garantuar të të gjitha barnave nga lista esenciale e barnave. Qeveria do të angazhohet që të paktën një lloj i kontraceptivëve oral të vendoset në listën pozitive.
Qeveria do të sigurojë subvencionimin e veprimtarisë farmaceutike në zonat rurale nëpërmjet pagesës tre-vjeçare të qirasë së përcaktuar për hapësirë afariste, subvencionimin e detyrimeve për sigurim shëndetësor dhe pensional për periudhë tre-vjeçare dhe kompensim të shpenzimeve për rrugë nëse farmacisti jeton në një distancë më të madhe se 20 kilometra nga barnatorja.
Do të përcaktohet kornizë e re për import paralel që do të përputhet me rolin dhe me funksionin e tij, ndërsa në pajtim me modelin që zbatohet në vendet e BE-së dhe do të vendoset një metodologji objektive, transparente dhe ndërkombëtarisht e vërtetuar për formimin e çmimeve të vetme të barnave në Republikën e Maqedonisë.
Gjatë zgjedhjes së barnave dhe gjatë shpalljes së tenderëve për të njëjtat në trupat do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave përkatëse civile nga fusha e mbrojtjes shëndetësore, si dhe të klubeve dhe shoqatave të të sëmurëve (sëmundja e diabetit, hemodializa, hipertensioni, kanceri i gjirit, infeksioni HIV), si dhe të pacientëve me sëmundje të rralla, pacientë nga komunitetet të margjinalizuar dhe pacientë me nevoja të veçanta. Në këtë mënyrë, shteti do të kontrollohet pikërisht nga shfrytëzuesit e fundit dhe do të sigurohet zgjedhja e barnave cilësore dhe veglave ndihmëse mjekësore me një çmim më të mirë të mundshëm.
Qeveria urgjentisht do të përgatit Plan aksionar për konsolidim financiar të institucioneve publike shëndetësore dhe propozim për shfrytëzimin e resurseve të spitaleve private, për shërbime që aktualisht nuk ekzistojnë në shëndetësinë publike, nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve.