Mediume të lira
Qëllimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është krijimi i hapësirës së medieve për informim objektiv të qytetarëve, sepse vetëm qytetarët e informuar në mënyrë të vërtetë mund lirisht të miratojnë vendim për të ardhmen e shtetit të tyre.
Qeveria do të promovojë reforma në sferën mediatike në pajtim me masat e grupit të organizatave joqeveritare të prononcuar në konferencën “Propozimet për reformat demokratike urgjente“. Procedurat për ndryshime do t'i zbatojmë në mënyrë transparente dhe me përfshirjen e të gjithë faktorëve relevantë nga kjo sferë. Qëllimi ynë është që medieve të shtypit dhe medieve elektronike t’iu sigurojmë lirinë e informimit të qytetarëve, për artikulimin e nevojave të tyre dhe për zhvillimin e biznesit të medies. Radiodifuzerët do të kenë trajtim të barabartë në drejtim të zhvillimit të konkurrencës së shëndoshë ndërmjet shtëpive mediatike.
Në këtë reformë, kryesore janë trupat rregullatorë. Do të propozojmë model sipas modeleve të ngjashme në vendet-anëtare të BE-së, veçanërisht modeli britanik OFCOM. Në krye të këtyre trupave, në bashkëpunim me sektorin civil, do të vendosim profesionistë me përvojë, objektivë dhe të dëshmuar.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të propozojë ndërprerjen e taksës radiodifuzive. Financimi i RTM-së më nuk do të bëhet përmes taksës radiodifuzive, si taksë e detyrueshme e qytetarëve. RTM-ja do të financohet i kombinuar nga Buxheti i RM-së dhe me mjete tjera, nga të ardhurat e operatorëve kabllovikë dhe nga të ardhurat e realizuara me shitjen e programit të prodhuar në RTM. Në mënyrë plotësuese, do të propozojmë zgjidhje ligjore me të cilat RTM-në nga buletinet partiake do ta transformojmë në servis profesional për të gjithë qytetarët dhe në shtyllë të fortë identiteti të Republikës së Maqedonisë.
Qeveria do të pushojë me shpenzimin e mjeteve buxhetore në medie. Publikimet falas do të dedikohen kryesisht për projektet me interes publik. Do të propozohet ndalimi për reklamimin e partive politike, përveç gjatë kohës së fushatës zgjedhore.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta rishqyrtojë rregullativën që ka të bëjë me përqendrimin mediatik dhe pronësinë mediatike, në drejtim të sigurimit të standardeve të larta për mbështetjen e sistemit demokratik në shtet dhe do t'i zvogëlojë kompensimet për lejet për punën e radiodifuzerëve.