Republika e Maqedonisë së Veriut - anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian

Anëtarësimi në NATO dhe BE janë përcaktime tona strategjike. Ato nënkuptojnë edhe një standard më të mirë ligje të modernizuara, paga më të mëdha, siguri të shtetit, siguri te qytetarët, investime të reja, lëvizje të lirë. Ato janë edhe garanci për pronësinë private, lirinë dhe pavarësinë e njeriut, siguri juridike dhe ekonomike. Anëtarësimi në NATO dhe në BE nënkupton edhe fundin e gjyqësisë dhe prokurorisë partiake, mediumeve dhe oligarkëve partiak.

Prioritet i yni shtetëror është që Republika e Maqedonisë të bëhet subjekt ndërkombëtar sovran, i respektuar dhe me prosperitet. Qeveria ka një vizion të qartë për realizimin e qëllimeve strategjike: Zhvillim i gjithanshëm i marrëdhënieve me fqinjët dhe integrimin e shtetit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Përcaktimet e nënvizuara strategjike të Republikës së Maqedonisë, do të realizohen vetëm me iniciativa dhe hapa konkret të një politike të jashtme të menduar mirë, reale dhe e udhëhequr në mënyrë profesionale dhe shtetërore. Vetëm kështu, do të tejkalohen sfidat dhe kërcënimet në drejtim të zhvillimit dhe sigurisë. Vetëm politika e këtillë mund të paraqesë një factor real gjatë promovimit të interesave tona strategjike në plan global.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian, në tërësi bazohet në konstatimet e raportit të ekspertëve të ekipit të Rajnhard Pribe. Për gjendjen në Republikën e Maqedonisë padyshim potencohet fakti se shteti është mbuluar nga partia në pushtet dhe se me të sundon krimi i organizuar, korrupsioni dhe shkelja masive e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, do të filloj me një aktivitet serioz dhe të fuqishëm ndërkombëtar me qëllim që Maqedonia të fitojë mundësinë për të filluar negociatat me BE-në deri në fund të vitit 2017. Ky aktivitet do të ketë rezultat vetëm nëse pasohet nga një agjendë e brendshme reformuese. Për këto arsye, vendimet tona strategjike do të bazohen në rekomandimet e Raportit të Pribes dhe rekomandimeve urgjente të BE-së, si dhe rekomandimeve të dialogut aderues në nivel të lartë me BE-në. Në këtë drejtim, Qeveria do të fillojë me një luftë vendimtare dhe joselektive me krimin e organizuar dhe korrupsionin, reforma themelore për sundimin e së drejtës dhe ndërtimin e institucioneve të pavarura, të cilat do të sigurojnë barazinë e të gjithë qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve në Republikën e Maqedonisë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të propozojë deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, një Strategji nacionale për politikë të jashtme të Republikës së Maqedonisë. Qëllimi do të jetë që kjo Strategji të sigurojë një debat të gjerë dhe një përkrahje konsensuale. Temat e mëdha të politikës së jashtme vazhdimisht do të debatohen në shtëpinë ligjvënëse dhe për to do të kërkojmë pëlqim shumëpartiak.

Në bazë të kësaj Strategjie, Qeveria do ta transformojë pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë nga një pjesëmarrës pasiv në një faktor aktiv në procesin e Berlinit si dhe do të angazhohemi edhe në zbatimin e Agjendës për lidhjen e rajonit e cila është pjesë e saj.

Është e qartë se integrimet, zhvillimi dhe siguria e shtetit fuqishëm varet edhe nga marrëdhëniet e mira dhe produktive fqinjësore. Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të imponojë një dinamikë të re të marrëdhënieve ndaj fqinjëve të vet, duke insistuar në një bashkëpunim konstruktiv në të gjitha sferat në planin bilateral dhe rajonal.

Qeveria do të investojë të gjitha potencialet shtetërore për të kthyer klimën pozitive dhe besimin në marrëdhëniet, sikurse me BE-në dhe me ShBA-të, ashtu edhe me fqinjët e saj për ta kthyer Republikën e Maqedonisë në pozitën e liderit rajonal.

Qeveria nuk do të lejojë që në plan ndërkombëtar, cilit do qytetar të Republikës së Maqedonisë t'i kontestohet përcaktimi i tij etnik, kulturor, gjuhësor, fetar, gjinor ose cili do përcaktim tjetër. Ky vizion është në përputhje me të gjitha dobitë civilizuese. Do të japin përpjekje maksimale për realizimin e të njëjtës mirëqenie sikur me fqinjët ashtu edhe për rajonin më gjerë në Evropë.

Duke u nisur nga Kushtetua e Republikës së Maqedonisë, për çështjet me interes më të lartë shtetëror dhe nacional, Qeveria në mënyrë aktive do të ndërtojë një konsensus me të gjithë faktorët relevant në shtet. Ajo realisht do të angazhohet për tejkalimin e kontestit të imponuar nga ana e Greqisë, por nuk do të pranojë kurrfarë bisedimesh për çështjet e identitetit. Për çdo zgjidhje të mundshme do të konsultohen qytetarët.

Qeveria asnjëherë nuk do të lejojë tentativat për ndryshimin e identitetit nacional, gjuhësor dhe kulturor të popullit maqedonas, si dhe të cilës do bashkësi etnike në Republikën e Maqedonisë. Qeveria do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal dhe atë ndër fqinjësor. Kështu, për përmirësimin e zhvillimit dhe stabilitetit rajonal, do të forcojmë shkëmbimin dhe bashkëpunimin e gjithanshëm me fqinjët në të gjitha sferat për pjesëmarrje aktive dhe ndikimit në të gjitha iniciativat rajonale, qasjes serioze dhe aktive në projektet e infrastrukturës, energjetikës dhe telekomunikimit, zonave zhvillimore tejkufitare si përkrahe për zhvillimin e rajoneve rurale, respektivisht atyre kufitare në Republikën e Maqedonisë (duke shfrytëzuar fondet e BE-së), ripërtëritjen e iniciativave për vendkalime të reja kufitare me vendet fqinje dhe promovimin e vendkalimeve të reja ndërkombëtare dhe lokale për popullsinë rreth kufitare.

Qeveria do të kujdeset edhe për gjendjet me pakicën nacionale maqedonase në vendet fqinje përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Do ta ripërtërijmë përkrahjen për arsimin, kulturën dhe gjuhën, përmes librave, literaturës, mësimdhënësve, lektorëve dhe shfaqjeve, gjithsesi pa përzierje në punët e brendshme të fqinjëve si dhe duke i respektuar në tërësi ata. Do t'i forcojmë lidhjet me diasporën edhe përmes financimit të orëve në gjuhën amtare në PDK në qytetet ku do të shprehet interes për një gjë të tillë. Do të ripërtërihen edhe lektoratet për gjuhën maqedonase, literaturën dhe kulturën që ishin të anashkaluar dhe të harruara nga shteti gjatë këtyre viteve.

Lidhjet me mërgimtarët tanë do të përmirësohen edhe përmes a.q. “konsullatave virtuale” ku të gjitha shërbimet e domosdoshme për ta do të jenë në dispozicion, së bashku me informatat e domosdoshme. Secila ambasadë ose konsullatë patjetër do të duhet të ketë sistem për kontakt efikas dhe në dispozicion për kontakt dhe përgjigje.

Njëherë, do të rivitalizojmë procesin e lënë anash të këshillimeve juridike të diasporës tonë me fokus të standardeve ndërkombëtare dhe përcjelljes së vendimeve të instancave ndërkombëtare, e në veçanti të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në pajtim me qëllimet strategjike dhe analizës së gjendjes aktuale, Qeveria do të krijojë një rrjet të ri shtetëror që do të jetë politikisht dhe financiarisht optimal, e para se gjithash me efikasitet diplomatik. Do të përforcohen ambasadat në vendet me rëndësi strategjike për Republikën e Maqedonisë, kurse për përzgjedhjen e kuadrit diplomatik do të bazohet në respektimin e kualitetit profesional dhe njerëzor. Politika e jashtme e Republikës së Maqedonisë do të ketë qëllime të qarta, koordinim të definuar dhe një rrjet profesional diplomatik. Qeveria do të përpilojë plan për blerjen e objekteve në 4 vitet e ardhshme për nevojat e domosdoshme të PDK.

Qasja jonë parasheh zhvillimin e kulturës së debatit dhe një transparencë të plotë të procesit të aderimit në Bashkimin Evropian. Që në vitin e parë do të iniciohet një proces i emërimit të negocuesit kryesor me BE-në me mundësi që të zgjidhet me konsensus ndërmjet pushtetit dhe opozitës, që do të fillojë me përpilimin e pozitave negocuese për kapitullin e gjyqësisë dhe të drejtave themelore (23) si dhe për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë (24).

Zbatimi i Strategjisë për Evropën Juglindore 2020 do të fitojë vendin e miratuar dhe për të do të ndahen edhe mjetet adekuate. Si pjesë e iniciativave të reja rajonale të Republikës së Maqedonisë, do të propozojmë edhe vendosjen e një Ombudsmani rajonal gjinor i cili do të kujdeset për realizimin e politikave për mundësi të barabarta të grave dhe burrave në Ballkanin perëndimor si dhe krijimin e Akademisë politike rajonale për ndërtimin e kapaciteteve të partive politike, të financuara përmes IPA-s, me ç’rast do ta propozojmë Maqedoninë për nikoqir të saj.

Përkrahja financiare Evropiane do të vihet në funksion të evropianizimit të tërë shtetit. IPA nuk do të jetë instrument me të cilin përgatitet vetëm administrate publike për zbatimin e negociatave për anëtarësim në BE, por do të ndërtojë kapacitetet e të gjithë faktorëve në shoqëri. Ajo nënkupton se krahas institucioneve shtetërore, mjete patjetër duhet të sigurohen edhe për komunat, shkollat, sindikatat, grupet e margjinalizuara, punëdhënësit, të papunët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, organizatat qytetare, universitetet dhe institucionet hulumtuese, madje edhe për grupet joformale të qytetarëve.

Qeveria menjëherë do të përpilojë një raport të plotë dhe publik në të cilin do të publikojmë shumën e saktë të mjeteve të humbura (pashfrytëzuara) nga fondet e BE-së dhe me këtë do të hapim procesin e transparencës së rritur gjatë udhëheqjes dhe shfrytëzimit të tyre. Në koordinim me Komisionin Evropian do të ofrojmë instrumente për shfrytëzimin më të shpejtë dhe më të plotë të fondeve të BE-së.

Do të formojmë një ekip të veçantë që do të përkushtohet në shfrytëzimin e mjeteve dhe ofertave që i ofron korniza investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe ndihmën për përpilimin e projekteve infrastrukturore në rajonet evropiane (JASPERS).

Qeveria do të investojë në ekipe që do të punojnë si konsulent të kornizës së BE-së, përmes trajnimit të tyre jashtë vendit. Ata do t'i ndihmojnë grupeve të caktuara në përgatitjen e projekteve evropiane (p.sh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për pjesëmarrje në KOSME; për studentët, nxënësit, profesorët, universitetet për pjesëmarrje në Erasmus plus; për qendrat hulumtuese, universitetet, ndërmarrjet, inovatorët për pjesëmarrje në Horizont 2020; për shtëpitë e produksioneve dhe mediumeve për pjesëmarrje në programin për Mediume; për inovacionet sociale të shoqërisë civile, komunat, ndërmarrjet publike, për pjesëmarrje në programin EASI; për qendrat kulturore, shtëpitë e produksionit, artistët, teatrot, për pjesëmarrje në programin për Kulturë; për Drejtorinë doganore për pjesëmarrje në programin Doganë; për drejtorinë e të Ardhurave publike për pjesëmarrje në programin Fiskalis; për kominat dhe rajonet për pjesëmarrje në programin e Mekanizimit për mbrojtje civile, etj.).

Të gjitha ata që do të mund të tërheqin mjete shtesë nga fondet e tjera evropiane, do të përkrahen me masa adekuate - që nga aplikimi e deri te realizimi. Për këtë qëllim si dhe për shfrytëzimin më të lehtë të fondeve evropiane, do të vendoset një a.q Fond për zhvillim, i cili do të ndërtojë kapacitetet e shfrytëzuesve të ardhshëm të mjeteve evropiane, do të sigurojë koofinancim (që është edhe problemi kryesor për momentin, kur bëhet fjalë për IPA si dhe për programet e tjera evropiane si Horizont, COSME, EaSI, Erasmus plus, Evropa e qytetarëve, Industritë kreative, Mediumet, etj.). Fondi do të lidhet edhe me Masat aktive për punësim në Republikën e Maqedonisë, veçanërisht në pjesën e koofinancimit si dhe me Garancinë për të rinjtë.

Qeveria do ta nxis edhe të ashtuquajturin vauçer sistem, në veçanti i përshtatshëm për bujqit gjatë shfrytëzimit të mjeteve nga IPARD. Njëherë, në vend që të presim që bujqit të shkruajnë projekte, qeveria do të sigurojë mjete për konsulentë të cilët do të duhet t'i ndihmojnë kësaj kategorie të njerëzve. Bujqit do të fitojnë vauçer me të cilin do të paguajnë konsulentët, kurse ai/ajo do të duhet që të jetë në dispozicion 24/7, deri në rrumbullakimin e projektit.