Arsimi për kohën e re
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të zhvillojë sistem të integruar i cili do të ndikojë në rritjen ekonomike dhe produktivitetin e punës dhe do t'i rrit mundësitë e të rinjve për vende pune cilësore. Qëllimi ynë është ky të sigurojë integrim të madh shoqëror në kuptimin etnik, rajonal, social dhe kulturor të nxit mendimin kritik dhe qytetarinë aktive.
Rezultatet e fundit nga testimi i PISA-s për nxënësit në Republikën e Maqedonisë tregojnë se na nevojiten reforma urgjente dhe gjithëpërfshirëse në arsim. Kësaj reforme do t'i paraprijë një debat i gjerë publik në të cilin do të marrin pjesë të gjitha subjektet në arsim, organizatat civile dhe shoqatat profesionale. Koncepti që do të dalë prej këtij debati gjithëpërfshirës do të fillojë me zbatim në vitin 2018. Duke i shfrytëzuar përvojat e huaja produktive dhe praktikat e mira, do të ndërtojmë një koncept personal të arsimit, që është përkatës në nevojat dhe mundësitë tona, duke i respektuar standardet evropiane. Do t'i japim mbështetje të plotë kuadrit mësimor dhe do ta mbrojmë nderin, dinjitetin dhe autonominë e profesionit mësimdhënës. Mësimdhënësit në Maqedoni e meritojnë këtë mbështetje, sepse pa mësimdhënës të motivuar nuk ka ndryshime të suksesshme arsimore.
Qeveria do të mbajë politikë për lehtësimin e përmbajtjeve mësimore dhe zvogëlimin e ngarkimit të nxënësve në arsimin fillor dhe në arsimin e mesëm. Do të vëmë fokusin në shkathtësitë dhe lëndët matematikore dhe gjuhësore, që janë të rëndësishme për zhvillimin e kompetencave kryesore te fëmijët. Investimet kapitale në arsim, si dhe angazhimi i kuadrit mësimor do të diktohen nga nevoja për arsimin e arritshëm dhe cilësor për të gjithë fëmijët. Këto investime duhet të ndihmojnë në realizimin e qëllimit për numrin mesatar të nxënësve që çdo paralele të ketë 25 nxënës.
Qeveria do ta respektojë autonominë e universitetit dhe dinjitetin e profesorëve, me ç'rast universitetet shtetërore do të jenë plotësisht përgjegjëse për funksionimin e arsimit të lartë sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore. Qeveria do të propozojë një mënyrë të re të menaxhimit me universitetin, që do të shpie në një universitet efikas dhe transparent.
Rritjen ekonomike do ta përshpejtojmë edhe me investime në shkencë. Qeveria do të formojë fond shtetëror për hulumtim dhe zhvillim me të cilin financimi i deritanishëm buxhetor që është minimal (0,2% të BPV-së – pesëmbëdhjetë herë më pak se rekomandimet e strategjisë Evropa 2020) do ta rrisim për 50% në buxhetin e parë, me qëllim në fund të mandatit Maqedonia të ndajë ndërmjet 1% dhe 1,5% të BPV-së për hulumtim dhe zhvillim.
Qeveria do të propozojë ndërprerjen e testimit ekstern si projekt që shkakton revolt të madh te mësimdhënësit, por krijon shqetësim dhe pakënaqësi edhe te nxënësit dhe prindërit e tyre. Testimi ekstern e zhvlerëson tërë angazhimin dhe punën e mësimdhënësve dhe të nxënësve gjatë tërë vitit shkollor, dhe se nuk shpie në rritjen e cilësisë. Do të fusim evalvimin dhe testimet e nxënësve, por pa futjen plotësuese të notave në dëftesat e tyre dhe pa dënime për mësimdhënësit. Vlerësimi i njohurisë së nxënë do të zbatohet vazhdimisht. Atyre shkollave që do të tregojnë rezultate të dobëta, do t'u jepet ndihmë dhe mbështetje për avancimin e arsimit.
Përfshirja e tanishme e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç në arsimin parashkollor, në mesatare, është vetëm 23%, te bashkësitë e vogla etnike kjo përfshirje është nën 10%. Kjo është e pamjaftueshme dhe ka ndikim negativ mbi zhvillimin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë. Qeveria do ta koofinancojë çdo rritje të kapacitetit në kopshtet për fëmijë në tërë shtetin. Qëllimi ynë është mesatarja e fëmijëve të përfshirë me arsimin parashkollor të rritet për 50% në periudhën prej 4 vitesh. Qeveria do të përgatit Plan të saktë për zgjerimin e rrjetit të kopshteve për fëmijë nëpër Maqedoni. Me investimin do të përfshijmë rekonstruksionin dhe ndërtimin e kopshteve të reja për fëmijë, në një numër të madh të komunave rurale dhe urbane, në mesin e të cilave, në Strugë, Gjorçe Petrov, Sopishtë, Qendër, Aerodrom, Tearcë, Gostivar, Llozovë, Karbinci, Çair, Shuto Orizar, etj.
Qeveria do të zbatojë arsimin e detyrueshëm parashkollor njëvjeçar, si masë integruese dhe përgatitje të fëmijëve për hyrje në arsimin fillor 9-vjeçar. Kjo do të kontribuojë për barazimin e fëmijëve nga mjedise të ndryshme sociale, si dhe për fillimin me elementet e procesit edukativ, i cili në vitet e kaluara u zhduk nga sistemi arsimor. Fëmijët duhet të kenë qasje të barabartë në arsim, sepse ky është çelësi për suksesin e tyre të mëtejshëm në jetë. Kjo përfshirje plotësisht do të jetë falas për fëmijët në komunat të cilat janë të nënshkruara në zvogëlimin e popullsisë dhe të cilat kanë zhvillim të pavolitshëm ekonomik.
Sistemi i arsimit fillor në 5 vitet e para do të jetë vetëm me vlerësim të përshkruar. Madje pastaj (4 vitet e ardhshme të arsimit fillor) do të zbatohet vlerësimi numerik. Në këtë mënyrë, fëmijët dhe mësimdhënësit do t'i përkushtohen cilësisë së njohurisë, e jo garës për nota.
Qeveria do të ofrojë arsim të mesëm i cili zgjat dy, tri apo katër vjet: do ta mbajmë arsimin klasik të gjimnazit dhe arsimin profesional katërvjeçar, por do të fusim edhe mundësinë për të mbaruar vitin e dytë dhe të tretë tek arsimi profesional. Ndryshimi do të jetë në atë që në tregun e punës kuadrot e para do të përfshihen nga dy apo tri vjet arsim të mesëm profesional, në moshën 17-vjeçare. Pra, ata të cilët duan të përfshihen në tregun e punës nuk duhet pa nevojë t'i mbajmë në sistemin arsimor, shpesh me rezultate më të dobëta të realizuara në nivelet më të larta të arsimit. Këtyre të rinjve do t'u mundësojmë hyrje të shpejtë në ekonomi dhe kohë ta përgatisë dhe planifikojë karrierën e tij të punës, me mundësitë për shkollim të mëvonshëm plotësues.
Në vend të politikës së ndëshkimeve, Qeveria do të promovojë politikën e shpërblimeve dhe stimulimeve. Të punësuarit në 5% të shkollave më të mira fillore dhe 10% të shkollave më të mira të mesme, si dhe mësimdhënësit, nxënësit e të cilëve do të fitojnë çmime në garat e qytetit dhe ato shtetërore, do të marrin 20% rrogë më të madhe gjatë 12 muajve të ardhshëm. Shkollat që do të jenë në 10% e sipërm sipas rezultateve që i arrijnë në cilësinë e tyre arsimore, do të kenë të drejtën që në dëftesa t'i theksojnë pikat plotësuese, si shkolla me rezultate mbi mesatare.
Krahas lëndëve të detyrueshme, në shkolla do të fusim aktivitete të lira për kreativitet më të madh. Do t'i lirojmë mësimdhënësit nga obligimet administrative, por do të kërkojmë prej tyre të punojnë me të rinjtë në zhvillimin e talenteve të tyre.
Qeveria do të stimulojë përforcimin e ekipeve shkollore me persona profesionalë nga profile të ndryshme: pedagogë, psikologë, defektologë, sociologë, logopedë, punëtorë socialë dhe persona profesionalë mjekësorë (aty ku ka mundësi për të).
Byroja për Zhvillimin e Arsimit do të ristrukturohet dhe do të shndërrohet në Institut për Zhvillimin e Arsimit. Ky do të jetë „tink-tenk“ i arsimit shtetëror në kornizat e të cilit do të punojnë më tepër sektorë që vazhdimisht do të dizajnojnë hulumtime në sferën e arsimit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së procesit arsimor.
Qeveria do të formojë Qendër të Hulumtimit Shkencor për nxënësit e talentuar në të cilin ata do të mund të nxënë njohuri plotësuese, do të përgatiten për garat shtetërore dhe ndërkombëtare dhe do të fillojnë me punë më serioze hulumtuese.
Në afat prej viti, komisionet shtetërore të përbëra nga profesorët universitarë dhe të mbështetura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të bëjnë evalvimin e të gjithë librave shkollorë për arsimin fillor dhe të mesëm dhe do të vendosin rregulla të qarta të cilat duhet të respektohen. Do të tërhiqen nga përdorimi librat shkollorë që kanë gabime esenciale në materie dhe të cilat janë joadekuate për moshën e nxënësve. Njëkohësisht, do të zbatojmë lirimin e lëndëve mësimore nga përmbajtjet e panevojshme dhe të dëmshme, veçanërisht të atyre që nxisin agresivitet, jotolerancë, urrejtje dhe diskriminim.
Pjesa më e madhe e librave dhe mjeteve tjera ndihmëse do të jenë të arritshme në formë elektronike. Për këtë masë, Qeveria do të stimulojë: autorë vendorë, prodhim audio dhe video, produksion të emisioneve arsimore dhe të popullarizuara shkencore si materiale shkollore me përmbajtje dhe tema nga programi mësimor. Do t'i nxisim televizionet nacionale të veçojnë kohë të caktuar për emetimin e këtyre programeve, të cilat do të harmonizohen me lëndët mësimore. Me të do të krijohen mundësitë e njëjta për arsimin cilësor në të gjitha pjesët e shtetit.
Qeveria do të iniciojë reforma dhe ristrukturim në arsimin e mesëm profesional në bashkëpunim me sektorin privat. Në këtë mënyrë edhe kompanitë mund të marrin pjesë, me programe dhe me financa, në këtë shkallë dhe lloj të arsimit. Në këtë mënyrë, shkollat profesionale për disa vjet do të bëhen më atraktive për nxënësit, veçanërisht me mundësinë për punësime të drejtpërdrejta pas mbarimit të kësaj shkalle dhe lloji të arsimit. Njëherit, do të promovojmë mekanizma dhe instrumente me të cilat do t'i nxisim punëdhënësit të bashkëpunojnë, të investojnë dhe të marrin pjesë në aktivitetet e arsimit dhe trajnimit. Në këtë drejtim është edhe masa për lirim nga tatimi mbi fitim deri në 30% për investim në zhvillimin e arsimit.
Në tërë shtetin, në përgjithësi, evidente është mosharmonizimi i ofertës së kuadrove të punës me kërkesat në tregun e punës. Me hartimin e Kornizës Nacionale të Kualifikimeve, do të mundësojmë lidhjen e programeve studimore që i ofrojnë institucionet e arsimit të lartë me ekonominë dhe me tregun e punës.
Në periudhën e kaluar universiteti me vetëdije ishte vënë në margjinat e shoqërisë, kurse profesorët ishin heshtur. Me rregullimin plotësues të arsimit të lartë, Qeveria do ta sigurojë autonominë universitare të garantuar me Kushtetutë, lirinë akademike, dinjitetin dhe autoritetin e universitetit.
Do ta kthejmë autonominë e universitetit, jo nga shkaku që profesorët duhet të gëzojnë privilegje më të mëdha, por nga shkaku që nga universitetet dalin ndryshimet shoqërore progresive dhe idetë e lirisë, aty kontrollohen dhe barten njohuritë ekzistuese dhe krijohen njohuritë e reja. Për këtë arsye, imperativi ynë do të jetë investimi në shkencë dhe në punën akademike. Qeveria do të propozojë një mënyrë të re të financimit dhe menaxhimit me universitetet. Ligji për arsim të lartë do të
pësojë revizion të plotë, me mundësinë për të miratuar krejtësisht ligj të ri për arsimin e lartë, në debatin e gjerë. Do të ndërpriten dispozitat e dënimit të lartë, që tani shfrytëzohen për frikësimin e kuadrit universitar dhe për kufizimin e autonomisë universitare.
Sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë do të jetë prioritet i lartë. Në partneritetin me bashkësinë akademike, do të revidohet sistemi për akreditimin dhe evalvimin universitar, në pajtim me standardet dhe drejtimet evropiane për sigurimin e cilësisë, me vëmendje të posaçme në profesionet e rregulluara dhe në arsimin e lartë profesional. Nëpër prizmin e këtyre standardeve, do të rishqyrtohet cilësia e studimeve të disperzuara dhe universiteteve private, si dhe arsyetimi dhe nevoja e tyre ekonomike shoqërore.
Moskujdesi për cilësinë e arsimit të lartë shpie në hiperproduksionin e diplomave, pa njohuri dhe shkathtësi konkurrente. Rezultatet nga hulumtimet sugjerojnë në studimin e prolonguar, procesin mësimor të dimensionuar joadekuatë dhe cilësinë mesatare të studimeve. Obligimi ynë do të jetë mbështetja e universiteteve dhe fakulteteve që të ndërpriten keqpërdorimet që bëhen në kurriz të studentëve dhe prindërve.
Qeveria do të mundësojë pavarësi juridike dhe operative në Këshillin e Akreditimit dhe Evalvimit, si parakushte themelore për përmbushjen e kritereve për marrjen e statusit të anëtares së plotë në ENQA (Asociacioni Evropian i Agjencive Nacionale për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë) dhe EQAR (Regjistri Evropian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë).
Universitetet duhet t'u kthehen profesorëve dhe studentëve, e jo të shfrytëzohen për ndikim politik dhe partiak në zbatimin e politikës së tyre kadrovike, shkencore dhe mësimore. Është koha që universitetet shtetërore vërtetë të reformohen, por jo përmes centralizimit të veprimtarisë dhe funksioneve, por përmes menaxhimit më demokratik dhe më transparent dhe dhënies më tepër „pushtet“ të prekurve të drejtpërdrejtë në procesin e arsimit të lartë: profesorëve, institucioneve të tyre amë dhe studentëve. Autorizimet e rektorëve, dekanëve dhe drejtorëve duhet t'i nënshtrohen rishqyrtimit, e jo si tani të jenë të përqendruara dhe ekzekutive.
Studentëve më të mirë të diplomuar do t'u japim mundësi, në veprimtarinë e mentorit të mësimdhënësve më me përvojë, të jenë vullnetarë si kuadër mësimor në arsimin fillor dhe në arsimin e mesëm, në periudhën prej 1-2 vjet. Studentët më të mirë duhet të punësohen dhe të stimulohet qëndrimi i tyre në Republikën e Maqedonisë. Kjo do të kontribuojë për ngritjen e cilësisë së procesit mësimor dhe përtëritjen e kuadrit mësimor.
Qeveria do ta mbështesë hapjen e serishme të lektorateve për gjuhën maqedonase në universitetet e huaja në vendet tjera, veçanërisht në vendet e BE-së. Do të mbahet përkujdesje e madhe për përdorimin me rregull të gjuhës amtare nga të gjithë faktorët dhe veprimtarët që kanë ndikim në opinion (mediat, operatorët e telekomunikimit, organet shtetërore dhe institucionet) me theks të veçantë në përdorimin me rregull të gjuhës qysh në popullsinë e re në fillim të procesit arsimor.
Qeveria do të fillojë ndërtimin e qytetit të studentëve në Shkup, me zgjidhje komplet të reja dhe moderne arkitektonike dhe hortikulture, si dhe përmbajtje funksionale: salla sportive, salla leximi, biblioteka, restorante, salla të kinemasë dhe qendra të fitnesit. Gjithashtu, Qeveria do ta përfundojë ndërtimin e kompleksit universitar „Nëna Terezë“. Në mënyrë plotësuese, Qeveria do të ndërtojë
godinë të re studentore në Autokomandë me mbi 700 shtretër përmes partneritetit privat publik. Në Manastir, Shtip dhe Tetovë, qytetet seli të universiteteve shtetërore, do të ndërtojmë kampe universitare, përmes rikonstruksionit dhe ripërshtatjes së objekteve ekzistuese, ndërtim plotësues të përmbajtjeve të reja infrastrukturore përkatëse dhe rritjen e kapacitetit të konvikteve ekzistuese.
Ndryshimet në arsim duhet të shkojnë paralelisht me përmirësimin e kushteve fizike ku mësojnë fëmijët tanë. Çdo vit, Qeveria do ta debatojë fondin për investime në infrastrukturë me komunat dhe do të miratojë vendim për prioritetet që nuk do të bazohet në interesat partiake dhe të biznesit, por në interesat e nxënësve dhe mësimdhënësve në Republikën e Maqedonisë. Do të ndërtojmë shkolla të reja të mesme në Komunën e Tetovës, Komunën e Aerodromit dhe Komunën e Novo Sellës.
Qeveria do të fut sistemin e mësimit të përjetshëm sipas standardeve evropiane, pjesërisht me përdorimin edhe të fondeve dhe programeve evropiane që dedikohen pikërisht për këtë qëllim. Me këtë koncept do të përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri e cila ofron mundësi të barabarta për qasje në mësimin cilësor për të gjithë personat, gjatë tërë jetës. Me të do të mundësohet rikualifikimi në punën e qytetarit, mundësia për kreativitet më të madh, hapja e bizneseve personale, si dhe zvogëlimi i presionit social.