Politika e mbrojtjes në kontekst të NATO-s
Sektori i mbrojtjes ishte udhëheqës i aktiviteteve reformuese të Republikës së Maqedonisë, në arritjen e qëllimit strategjik të shtetit, anëtarësimit në NATO. Si iniciues dhe lider i grupit të Adriatikut, Republika e Maqedonisë sot është shteti i vetëm i këtij grupi, i cili ende nuk është anëtar i NATO-s.
Anëtarësimi në NATO do të kthehet në krye të prioriteteve të Republikës së Maqedonisë. Kjo është një përcaktim strategjik i shtetit dhe një qëllim shumëvjeçar konsensual i të gjithë qytetarëve të saj. Ruajtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit unitar të Republikës së Maqedonisë, përmes ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë, si dhe pjesëmarrjes së shtetit në sistemet kolektive të mbrojtjes, janë parimet themelore ndaj të cilëve do të përkushtohemi. Anëtarësimi në NATO nuk nënkupton vetëm sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Ajo është një bazë dhe parakusht kryesor për zhvillimin ekonomik dhe investimet e pritura të huaja.
Qasja e Qeverisë do të nënkuptojë reforma serioze në sistemin e mbrojtjes, në pajtim me Konceptin strategjik për zhvillimin e NATO-s 2010-2020. Kontributi dhe pjesëmarrja e Republikës së Maqedonisë në misionet e udhëhequra nga NATO dhe OKB edhe më tutje mbeten prioritet i lartë. Do të afirmojmë pjesëmarrjen e deritanishme në potencialet ushtarake të Republikës së Maqedonisë në operacionet e NATO-s për parandalimin dhe tejkalimin e konflikteve në botë. Ajo e radhit shtetin në faktorët e stabilitetit të Evropës Juglindore.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të ndryshojnë raportin ndaj financimit të sigurisë dhe mbrojtjes. Do të fokusohemi në zhvillimin e aftësive shpërndarëse dhe të qëndrueshme si dhe interoperabilitetit, të cilat priten nga një vend i ardhshëm anëtar i NATO-s. Do të propozomë një zgjidhje të veçantë ligjore, në pajtim me Planin afatgjatë për zhvillimin e mbrojtjes, për sigurimin e mjeteve për mbrojtjen në shumë prej 2.3%-2.6% nga BPV. Kjo shumë do të arrihet në mënyrë sukcesive, në pajtim me fuqinë ekonomike dhe zhvillimin shtetëror në periudhën e ardhshme. Imperativi ynë do të jetë realizimi i mjeteve të ndara buxhetore, përmes kthimit dhe krijimit të kushteve të nevojshme për zbatimin dhe implementimin e plotë të PPBS - Sistemit të Planifikimit, programimit dhe realizimit shumëvjeçar të buxhetit (Planning, Programming Budgeting System). Në kuadër të kësaj metodologjie, tendenca jonë për ndarjen e kategorive buxhetore do të jetë, në fakt, siç është projektuar në fillim: 50% për personelin; 30% për operacionet, trajnimin dhe mirëmbajtjen; dhe 20% për pajisjen dhe modernizimin e ARM-së. Do të sigurojmë një strukturë financiare dhe mjete të nevojshme për mbulimin dhe rritjen e shpenzimeve për misionet tona jashtë vendit, në pajtim me Konceptin e NATO-s për “mbrojtje e mençur”, si dhe me Konceptin Strategjik nga viti 2010 si dhe me rekomandimet e Samitit të NATO-s në Uels në vitin 2014.
Qeveria do të japë përkrahje për konceptin e një armate të vogël dhe profesionale me intencë për krijimin e një strukture të përbashkët e të inkorporuar të personelit të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes - “staff structure”, përmes zbatimit të një analize tërësisht funksionale. Ajo është parakusht për efikasitetin e detyrave, obligimeve të punës, funksioneve dhe përgjegjësive, e me qëllim që të vendoset një sistem kualitativ i kontrollit civil të armatës, si një prej parimeve themelore demokratike.
Do të zbatojmë një departizim të plotë të Armatës dhe MM, përmes sigurimit të një sistemi efikas të menaxhimit me resurset njerëzore, të bazuar në profesionalizmin e personelit. Njëra prej shtyllave të këtij sistemi është ngritja e standardit të të punësuarve, motivimit dhe tërheqjes së personelit. Një prej prioriteteve kyçe në pjesën e menaxhimit me personelin është miratimi i Konceptit për lëvizje në karrierë, që është në tërësi i lënë anash në MM dhe ARM, e që ka për qëllim vendosjen e një strukture piramidale të personelit ushtarak.
Qeveria do të ofrojë një plan të qartë për statusin e ushtarëve profesional. Në pajtim me rregullativën ekzistuese ligjore, ushtarët profesional janë në shërbim të Ministrisë së Mbrojtjes deri në moshën 45 vjeçare. Pas kësaj periudhe, me vendim të Qeverisë dhe në marrëveshje me organet e tjera shtetërore, e në pajtim me nevojat e tyre, Ministria e Mbrojtjes do t’u sigurojë ushtarëve profesional, punësim te një punëdhënës tjetër, organ shtetëror, ndërmarrje publike, institucion publik, njësi e vetëqeverisjes lokale dhe Qytetin e Shkupit, fonde, agjenci, ente dhe subjekte tjera juridike të themeluara me ligj, pa shpallje për vendin e punës, me transferim dhe lidhjes së marrëveshjes së punës, në një vend pune që i përgjigjet përgatitjes së tyre profesionale, respektivisht kualifikimit të tyre.
Qeveria gjithashtu do të promovojë edhe Konceptin e ri të strukturës rezerve, të vogël dhe efikase - rezervë aktive. Kjo paraqet edhe një prej opsioneve për zgjidhjen e statusit të ushtarëve profesional pas moshës 45 vjeçare.
Njëra prej detyrave të para do të jetë revizioni i Planit afatgjatë për zhvillimin e mbrojtjes - 2014-2025, si dokument bazë për realizimin e reformave. Do të realizojmë një revizion të dokumenteve strategjike për reformat në sektorin e mbrojtjes, sipas standardeve të NATO-s, si dhe sfidave dhe nevojave të reja.
Do të bëjmë revizion të Strategjisë për zhvillimin e sistemit global të komunikimit-informimit në MM dhe ARM dhe do të vazhdojmë me realizimin e infrastrukturës optike të telekomunikimit, sistemin e menaxhimit të dokumentacionit, sistemin logjistik të informimit, sistemin për planifikimin, programimin dhe realizimin e buxhetit, sistemin e trajnimit të bazuar në kompjuter si dhe projekte të tjera.
Do të bëjmë revizionin e Planit ekzistues për divestimin e objekteve jo esenciale në MM dhe ARM. Procesi përfshin koordinimin e MM me të gjithë subjektet civile të involvuara në divestimin e objekteve jo esenciale - organet shtetërore, institucionet dhe organet e vetëqeverisjes lokale.
Me projektin për modernizimin dhe pajisjen e ARM-së, Qeveria do të investojë në furnizimin me helikopter të ri dhe servisim të fluturakeve ekzistuese, automjeteve motorike civile, transportuesit e blinduar, për nevojat e misioneve tona jashtë vendit si dhe sistemit taktik komunikues-informativ për batalionin e mesëm të këmbësorisë, të deklaruar për pjesëmarrje në misionet jashtë vendit.
Një prej prioriteteve është edhe përgatitja profesionale dhe trajnimi i pjesëtarëve të ARM-së - pjesëmarrës në misionet ndërkombëtare ushtarake dhe njësive të tyre, në të gjitha aspektet, me theks të veçantë për segmentin social, shëndetësor dhe atë të sigurisë së personelit i cili merr pjesë në ato misione.
Koncepti i ri për zgjidhjen e çështjes banesore të personelit të ARM-së dhe MM do ta definojë dhe rivendos politikën banesore në ARM. Ky koncept, para se gjithash, do të jetë real dhe i qëndrueshëm ku realizimi i tij do të nënkuptojë plotësimin e nevojave dhe interesave të ARM-së nga aspekti i realizimit profesional të funksioneve dhe detyrave të institucioneve. Koncepti i këtillë do të nënkuptojë edhe plotësimin e nevojave individuale të pjesëtarëve të ARM-së në aspekt të zgjidhjes së çështjes banesore.