Administrata publike si servis
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të punojë në krijimin e një administrate profesionale dhe efikase, llogaridhënëse dhe transparente e cila do të sigurojë shërbime cilësore për qytetarët dhe sektorin e biznesit dhe do t'i mbrojë të drejtat e tyre. Me zbatimin e parimeve të drejtësisë dhe profesionalizmit gjatë avancimit dhe shpërblimit të të punësuarve në administratë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të krijojë një administratë, e cila do të çlirohet nga prangat partiake dhe do t'i përkushtohet zgjidhjes së problemit të qytetarëve dhe subjekteve afariste, duke e respektuar parimin e ligjshmërisë dhe paanshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të propozojë strategji të re për reforma në administratë dhe do të themelojë Qendër të Përsosmërisë e cila do të bëjë analizë dhe notim real dhe të pavarur të politikave publike dhe do të propozojë metoda dhe mënyra të reja për përmirësimin e punës së institucioneve dhe administratës.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë me përkushtim do të punojë në realizimin e vlerës themelore të rendit kushtetues - përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të qytetarëve i të gjitha bashkësive, në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, sin ë kompanitë publike ashtu edhe ato shtetërore.
Qeveria urgjentisht do të zgjedh problemin me nëpunësit shtetëror të cilët një kohë të gjatë marrin pagë, ndërsa nuk janë të sistematizuar në vende pune. Ekziston pakënaqësi e arsyeshme edhe nga ana e tyre por, edhe nga ana e publikut për praktikën e tillë. Qeveria do të krijojë një administratë e cila me përkushtim do të punojë në shërbim të qytetarëve dhe e cila do të shpërblehet për angazhimin e saj në favor të qytetarëve, e jo për shkak të përkatësisë partiake ose ndonjë përkatësie tjetër. Për këtë shkak, Qeveria menjëherë do t'i shpall të dhënat për numrin e nëpunësve shtetëror të pa sistematizuar dhe do të miratojë plan për sistematizimin e tyre urgjent në vende pune dhe për angazhimin profesional.
Në kuadër të reformave në administratë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë parasheh:
Themelimin e Regjistrit publik të administratës në të cilin do të shpallet numri i përgjithshëm i të punësuarve të përhershëm dhe të përkohshëm në sektorin publik. Regjistri do të jetë në dispozicion të publikut dhe do të azhurnohet rregullisht. Qytetarët do të kenë këqyrje të të gjithë të punësuarve në administratën publike, për çdo institucion.
Punësime pa shpenzime të panevojshme, duke propozuar ndryshime ligjore që dokumentet e nevojshme për pjesëmarrje në një shpallje publike për punësim që kandidati duhet t'i sigurojë nga institucione të tjera, me detyrë zyrtare t'i sigurojë institucioni i cili e zbaton procedurën. Për të njëjtat arsye, do të propozohet heqja e testit të personalitetit (testi psikologjik) si kusht i punësimit.
Vendosjen e orarit fleksibël të punës së institucioneve që fillon nga ora 7.30 deri në orën 8.30 në mëngjes dhe do të zgjat deri në orën 15.30, përkatësisht deri në orën 16.30 papasdite. Përveç kësaj, në një institucion do të bëjmë pilot projekt për 6 orë orar pune, me qëllim që të përcaktohen efektet mbi produktivitetin në punë.
Institucionet që kanë një sasi të konsiderueshme të punës dhe ku qytetarët i realizojnë të drejtat kruciale, të punojnë në dy turne, përkatësisht deri në 20 orë, që të mund të sigurojnë shërbim në kohë për të gjithë qytetarët.
Fillimin e procesit të konsultimeve të gjera me palët e interesuara për themelimin e një sistemi të ri të vlerësimit në sektorin publik. Vlerësimi do të bëhet sipas parametrave që janë të dukshme dhe mund të maten siç janë: rregullshmëria në punë, efektiviteti, profesionalizmi dhe ekspertiza gjatë kryerjes së detyrave të punës.
Rritjen e pagave në sektorin publik në bazë të rritjes së ekonomisë maqedonase. Të punësuarit në sektorin publik do të shpërblehen për arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme dhe për përkushtimin më të madh në punë.
Rishikimin e sistemit ekzistues të trajnimeve dhe futjen e sistemit të trajnimeve edhe për persona të zgjedhur dhe të emëruar.
Vendosjen e një sistemi të vetëm elektronik me të cilin do të lidhen të gjitha institucionet e shtetit. Këtë sistem elektronik do ta shfrytëzojnë të gjitha aplikacionet për dhënien e shërbimeve publike të cilat shteti ua ofron qytetarëve. Gjatë kësaj, çdo qytetar do të merr nënshkrim të vetëm digjital për paraqitje gjatë shfrytëzimit të të gjitha aplikacioneve, sipas modelit të shteteve skandinave. Me këtë, do të sigurojmë kontroll të lehtë në dhënien e shërbimeve për të gjithë qytetarët, ndërsa në të njëjtën kohë do t'i japim fund pritjes në radhë dhe dhënies së mitos ndaj nëpunësve kompetent administrativ. Ky vendim tërësisht do të vihet në përdorim në vitin e tretë të mandatit. Në ndërkohë, në 180 ditët e para të mandatit Qeveria do t'i eliminojë të gjitha dokumentet e panevojshme, ndërsa çmimi i përgjithshëm i shërbimeve do të paraqitet në mënyrë të qartë; do të sigurojmë dhënie të plotë elektronike të 50 vërtetimeve ose dokumenteve të lëshuara zakonisht, ndërsa në çdo gjashtë muaj, do të shënojë rritje për 10% numri i e-shërbimeve që institucionet ua ofrojnë qytetarëve.
Propozimin e ndryshimeve ligjore për sigurimin e procedurave të shkurtra dhe efikase administrative, kështu që për çdo procedurë në mënyrë publike dhe veç e veç do të shpallen hapat në procedurë dhe cilët nëpunës janë të angazhuar për të vepruar; ndërsa të gjitha kundërvajtjet do të sanksionohen, me çka në Inspektoratin Shtetëror Administrativ do të vendoset një linjë telefonike ku qytetarët dhe kompanitë do të mund të paraqesin dyshim për një kundërvajtje të kryer.