Policia profesionale - siguri për të gjithë qytetarët
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta ndërtojë policinë e cila do t'i mbrojë qytetarët dhe e cila do ta ndjek krimin. Vetëm policia e tillë mund të garantojë siguri dhe shtet juridik. Policia do të jetë jashtë ndikimeve partiake dhe do të garantojë zbatim objektiv të ligjeve për të gjithë. Do të fusim mekanizma për përmirësimin e kontrollit të jashtëm dhe të brendshëm në punën e policisë dhe shërbimeve të sigurisë. Do ta përforcojmë kontrollin parlamentar dhe do të formojmë ombudsman policor, me kompetencë të zbatojë hetim të pavarur për tejkalimet eventuale të autorizimeve policore dhe shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Rekomandimet nga „Raporti i Pribesë“ do t'i zbatojmë plotësisht dhe pa prolongime.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të punojë me përkushtim në departizimin e policisë dhe luftën kundër korrupsionit, zbatimin objektiv dhe jodiskriminues të ligjeve; luftën efikase kundër korrupsionit dhe raport dhe transparencë në punën e policisë.
Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta ripërtërijë konceptin e policit - polici i uniformuar lokal në rrugët e vendbanimeve. Ai do të jetë mbrojtës - i arritshëm për qytetarët dhe nevojat e tyre. Përforcimi i besimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve është parakusht për sigurinë e qytetarëve.
Në funksion të kthehet sistemi i karrierës për të punësuarit në MPB me respektimin e rregullave për avancimin dhe sistematizimin e të punësuarve, duke mbajtur kujdes për shfrytëzimin e kapacitetit profesional të të punësuarve në MPB.
Qeveria do të mbështesë mekanizma për mbikëqyrje mbi veprimin policor në rastet e përfshirjes së drejtpërdrejtë apo të tërthortë të policisë në veprimet e padëshiruara të shoqërisë. Barazia para ligjit duhet të jetë garanci për sigurinë e qytetarëve. Në punën e policit do të shikohet si mbrojtje, e jo si kërcënim. Për këtë shkak, do të përforcohet pavarësia dhe kapaciteti i Sektorit të Kontrollit të Brendshëm dhe Standardet Profesionale në MPB dhe do të futet një mënyrë e re në zgjedhjen e ndihmësit të ministrit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale, në bazë të kritereve të cilat do të garantojnë pavarësi në veprimin dhe hetimet profesionale.
Qeveria do të përkushtohet në zbardhjen e plotë të ngjarjeve të Kumanovës në maj të vitit 2015 dhe zbulimin e iniciatorëve dhe prapavijën e tërë ngjarjes. Do të kërkojmë edhe mbështetjen ndërkombëtare në hetim për shkak të sigurimit të të gjitha informatave relevante, por edhe të sigurimit të besimit të plotë të qytetarëve në rezultatet e hetimit. Ministria përkatëse do të jap mbështetje të plotë logjistike në instancat e prokurorisë dhe të gjyqësisë në hapjen dhe mbajtjen e procedurave në lëndët „Sopot“, „Brodec“, vdekjen e Martin Neshkovskit dhe Nikolla Mlladenovit dhe lëndën „Monstra„.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të bëjë evalvimin për zbatimin e Marrëveshjes Kolektive për të punësuarit në MPB dhe respektimin e legjislacionit të punës. Nëse përcaktohen lëshimet, dobësitë dhe parregullsitë do ta hapim dialogun social për përmirësimin e Marrëveshjes Kolektive për shkak të mbrojtjes së të drejtave të nëpunësve policorë. Do të lejojmë organizimin e lirë sindikal të nëpunësve policorë dhe lirinë e vendimmarrjes për anëtarësim në sindikatë. Standardi dhe cilësia e jetës së pjesëtarëve të MPB-së do të përmirësohen edhe me sistematizimin e tyre në punë në vendbanim. Në këtë mënyrë, do t'u zvogëlohen shpenzimet për jetë të ndarë dhe udhëtime të cilat deri më tani ishin në barrë të tyre. Në raste të jashtëzakonshme, në të cilat do të ketë nevojë për punë jashtë vendbanimit, ministria do të sigurojë kompensim për jetë të ndarë dhe shpenzime të rrugës. Qeveria do t'i qaset harmonizimit të bazës së rrogave të të punësuarve në MPB dhe përcaktimin e kompensimeve dhe rritjes së pagës, në pajtim me Marrëveshjen kolektive të MPB-së dhe Ligjit për marrëdhënie pune.
Njëri ndër aktivitetet kryesore të reformës do të jetë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Rekomandimet e Pribesë dhe shfrytëzimi i përvojave evropiane do të jenë orientuesit kryesorë në këtë proces. Qeveria plotësisht do ta mbështesë kontrollin e Kuvendit mbi këtë Drejtori.
Qeveria do t'i përforcojë kapacitetet institucionale dhe kadrovike në Seksionin e krimit të organizuar në MPB dhe institucioneve me të cilat bashkëpunon. Do të formohet dhe operacionalizohet Qendra Koordinuese Nacionale për Luftën kundër Krimit të Organizuar. Do të angazhohemi për zbatim të plotë të legjislacionit për dëmshpërblimin e viktimave nga krimi i organizuar.
Qeveria plotësisht do t'i zbatojë obligimet e saj në aspekt të zbatimit të plotë të Ligjit për procedurë penale në pjesën e resurseve, organizimit, pajisjes dhe trajnimit të agjentëve dhe prokurorëve, si dhe formimin e qendrave të hetimit dhe policisë gjyqësore. Zbatimi i plotë dhe përkatës i LPP-së është garanci për hetim profesional dhe të pavarur, në të cilën do të mënjanohen dyshimet për anshmëri të policisë në rastet e montuara politike.
Do të investohet në kapacitetet e institucioneve për parandalimin e migrimit joligjor dhe trafikimit me qenie njerëzore, dhe do të sigurojmë qëndrueshmëri dhe funksionalitet të Qendrës për Mbrojtjen e viktimave nga tregtia me qenie njerëzore.
Qeveria do të sigurojë mjete për renovimin e stacioneve policore, veçanërisht atyre për sigurimin e kufirit shtetëror. Do të investohet në funksionimin efikas të Sistemit për menaxhim të integruar kufitar, në bashkëpunim me shtetet fqinje dhe institucionet evropiane dhe mbështetjen nga vendet-anëtare të BE-së dhe NATO-s.