Mbështetje për të rinjtë
Qeveria do të drejtojë politikë të rinisë e cila do të jetë thelbi i politikave për vetëpunësim, për reforma në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, etj. Në politikat e Qeverisë, theksi kryesor do të vendoset në masat me të cilat do të përmirësohen jeta dhe standardet studentore, ndërsa të rinjtë do të arrijnë më lehtë te punësimi i parë. Qëllimi ynë me prioritet është që të rinjtë të projektojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në atdheun e tyre.
Qeveria do të vendosë kartelë të veçantë pagese për shfrytëzimin e shërbimeve në kampet studentore, lirime për shfrytëzimin e transportit ndërqytetor, lirime gjatë vizitës së të gjitha institucioneve shtetërore dhe nacionale, lirime për vizitën e ngjarjeve sportive dhe kulturore me karakter nacional.
Politika e re për dhënien e bursës për studentë do të jetë një kombinim i bursave shtetërore dhe nxitje e lehtësimeve fiskale për firmat që do të ndajnë përqindje nga fitimi për dhënie të bursës. Përparësi do të kenë studentët me rezultate më të mira, por edhe ata që përballen me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale.
Qeveria do të hap dialog me studentët rreth mënyrave për departizim dhe pluralizëm në organizimin studentor, duke mundësuar pjesëmarrje thelbësore të studentëve në organet e menaxhimit të universiteteve dhe ndikim në çështjet të interesit të tyre. Në bashkëpunim me ta, Qeveria do të promovojë projektin rajonal për shkëmbimin e studentëve.
Qeveria do të iniciojë organizimin e garave shtetërore në dhjetë kategori të ndryshme dhe olimpiadë për shkolla të mesme në stilin e Lojërave Rinore Studentore, ku nxënësit më të talentuar të shkollave të mesme do të garojnë në disiplina olimpike. Në këtë mënyrë, do të krijojmë talentet e reja të suksesshëm, do të zhvillojmë njohurinë dhe shpirtin sportiv dhe do të sigurojmë shoqëri midis nxënësve të shkollave të mesme nga i gjithë shteti.
Qeveria do të krijojë kushte për zmadhimin e numrit të orëve të sportit në shkollat fillore dhe të mesme: stërvitje, trajnime dhe gara në pothuajse të gjitha sportet. Qëllimi ynë është që të gjithë nxënësit të kenë mundësi të shoqërohen dhe të jetojnë një jetë të shëndetshme pa u bërë ngarkesë financiare për prindërit e tyre.